Prishtinë, 24 shkurt 2004 – Agjencia Kosovare e Mirëbesimit si “qeveria e tretë e Kosovës” me bllokimin e procesit të privatizimit jo vetëm që po shkatërron ekonominë, por ajo po pengon edhe punësimin e qytetarëve dhe po ndikon në keqësimin e mirëqenies së tyre sociale, tha për “Biznesin” Ahmet Isufi, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale. Sipas ministrit Isufi, pengesat që po bëhen ndaj procesit të privatizimit janë arsyeja kryesore për shkallën kaq të lartë të të papunëve në vend. AKM është degë e UNMIK-ut dhe ka në kompetencë privatizimin e 400 ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë. “Në Kosovë ka tri qeveri, UNMIK-u, Qeveria e Kosovës dhe AKM-ja. Janë tre zot shtëpie edhe ajo nuk funksionon si duhet, qoftë ekonomia e saj apo mirëqenia e qytetarëve. AKM-ja është bërë faktori i tretë që po vendos për ekonominë e Kosovës. Ne e theksojmë këtë sepse ka pengesa të shumta në këtë proces”, tha ministri Isufi. Bllokimi i procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore që u bë në muajin tetor të vitit të kaluar, nga shefi i Shtyllës IV të UNMIK-ut, Nikolaus Lambsdorff, konsiderohet nga qeveria si arsye e të gjitha ngecjeve ekonomike në Kosovë në 6 muajt e fundit.
Qeveria dhe UNMIK-u javën që e lam pas kanë negociuar për vazhdimin e privatizimit, mirëpo propozimet e Shtyllës IV të UNMIK-ut për Ekonomi dhe qëndrimet e qeverisë janë diametralisht të kundërta. Shtylla IV e UNMIK-ut që drejtohet nga BE-ja, në krye me ambasadorin evropian Lamdsdorff-in ka propozuar ndryshimin e procedurave të privatizimit, ndërsa qeveria i ka quajtur këto propozime të dirigjuara nga Beogradi, që sipas tyre janë në dëm të Kosovës dhe ekonomisë së saj. Ministri Isufi shprehet se po të ishte mundësia e drejtimit të ekonomisë nga vendorët, e sidomos procesit i privatizimit, Kosova do të kishte përmirësim të gjendjes ekonomike, që do të ndikonte pozitivisht në punësimin e qytetarëve. “Zgjerimi i kapaciteteve të reja kapitale në Kosovë, e po ashtu edhe investimet e jashtme që do të mund të bëheshin përmes privatizimit, jam i bindur se do të ulnin nivelin e papunësisë në Kosovë”, tha ministri.
Siç tha ai, përgjegjësinë për këtë gjendje ekonomike dhe sociale do ta ketë UNMIK-u për arsye se ka përgjegjësinë e administrimit në Kosovë. Mbajtja peng e procesit të privatizimit po e pengon Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale që të bëjë planifikimin e tregut të punës dhe orientimin e politikave të ministrisë për profesione të cilat do të ishim me të përafërta me tregun ekzistues të punës. Zyrtarisht në Kosovë 57 për qind e popullatës (kontingjentit të punës) janë të papunë. Nga kjo përqindje vitin e kaluar sipas Bankës Botërore 12 për qind i përkisnin popullatës me varfëri ekstreme, ndërsa kjo shifër sivjet është rritur në 17 për qind. Sipas Ministrisë së Punës, arsye për këtë gjendje janë edhe pasojat e së kaluarës, sepse në ish-Jugosllavi Kosova ishte vendi me papunësi më të madhe në Evropë dhe kjo ka bërë që të rritet kontingjenti i të papunëve.
“Edhe lufta e ka përmbysur ekonominë e Kosovës, mirëpo ne kemi pasur shanse që përmes procesit të privatizimit të thyejmë këtë akull për të orientuar politikat ekonomike në vend. Krejtësisht problem është bllokimi i procesit të privatizimit”, përfundoi ministri Ahmet Isufi.
ECIKS / Biznesi