Potencialet kosovare: Mineralet dhe Bujqësia

Prishtinë, 9 janar 2006 – Afro një vit më parë bëmë një studim mbi potencialet e zhvillimit të Kosovës. Ishte e qartë se pasuria minerale, së bashku me bujqësinë janë potencialet kryesore për zhvillim. Së bashku me BE-në Banka Botërore bëri dhe një studim për burimet energjetike në Evropën Juglindore, që është një rajon i cili ka nevojë për sasia më të mëdha të energjisë elektrike. Burimet e linjitit të Kosovës erdhën në krye të listës, si mundësia më e lirë për prodhimin e energjisë dhe furnizimin të Evropës, i ka deklaruar “Evropës së Lirë”, thotë pos tjerash, drejtoresha e Bankës Botërore për Evropën Juglindore, Orsalia Kalantzopoulos.

“Nëse Kosova përdor në mënyrën e duhur pasuritë e saj të shumta natyrore, dhe i investon të ardhurat nga këto burime në arsim dhe shëndetësi, atëherë Kosova mund të shndërrohet në një vend që di ta mbajë veten dhe të zhvillohet duke siguruar jetesë të mirë për banorët e saj. Por për të ardhur deri këtu duhet të jemi shumë të kujdesshëm në shumë front”, thotë Kalantzopulos.

Ajo vlerëson se çështja e pazgjidhur e statusit është një pikëpyetje e madhe, pasi investuesit privatë të cilët shohin përfitimin e tyre në çdo investim shohin një rrezik më të lartë investimi në Kosovën me status të papërcaktuar.

“Por gjendja është stabilizuar dhe diskutimet për statusin kanë filluar. Jam e sigurt se do të arrihet një zgjidhje në këtë drejtim çfarë do të lejojë një prani më të madhe të sektorit privat në ekonomi. Sektori privat është i qartë në atë se ka mundësi në Kosovë dhe ata do përpiqen t’i përdorin mundësitë që ofron Kosova”.

Ajo konsideron se rreziku kryesor për autoritetet kosovare është që të jenë në gjendje të arrijnë baraspeshën e duhur rreth asaj që do jetë përfitimi i sektorit privat dhe çfarë do të përfitojë shoqëria, çfarë do të shkojë në favor të popullsisë. Këtu kemi parasysh përmirësimin e sistemit arsimor, shëndetësor, infrastrukturës e kështu me radhë.

ECIKS / KosovaLive