Planifikohet konferencë e donatorëve për Kosovën

Uashington/Prishtinë 14 nëntor – Ministri i Ekonomisë dhe Financave Haki Shatri, gjatë vizitës së tij në Amerikë është takuar me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, ku vëmendje e veçantë i është kushtuar asistencës së SHBA së pas zgjidhjes se statusit të Kosovës. Gjatë një takimi, Thomas Adams, koordinator i asistencës së SHBA-ve për Evropë dhe Euroazi, e njoftoi ministrin Shatri me aktivitetet e Departamentit të Shtetit lidhur me çështjen e Kosovës dhe për planifikimin e konferencës së donatorëve për Kosovën dhe Bankën Botërore lidhur me borxhin e jashtëm, të cilin do ta trashëgojë Kosova pas zgjidhjes të statusit. Z. Adams theksoi se edhe pas ndryshimeve nga zgjedhjet e fundit lokale, në Kongres ekziston gatishmëri dhe të gjithë janë të mendimit për asistencë të mëtejshme për Kosovën. Ndërsa Shatri shprehu vendosmërinë për të punuar në drejtim të arritjes së qëllimeve të përbashkëta me miqtë e Kosovës, në veçanti me SHBA në. “Unë jam shumë optimist për të ardhmen e Kosovës dhe më vjen mirë që po punohet seriozisht për vjeljen e sa më shumë fondeve për ta mbështetur Kosovën edhe pas zgjidhjes të statusit. Gjithashtu ne kemi kërkuar nga Banka Botërore t’i identifikoje prioritetet për të cilat donatoret do të mund të zotoheshin për asistence në konferencën e donatorëve”, tha z. Adams. Gjithashtu ai shtoi se disa nga prioritetet themelore do të ishin mbështetja buxhetore, mbështetja ne sektorin e energjisë, sektorin e edukimit, ngritjen e kapaciteteve, si dhe në zbutjen e papunësisë, përfshirë këtu edhe rajonet e banuara me minoritetin serb, ku Qeveria amerikane, sipas zotit Adams, është e gatshme të ofrojë ndihmën e saj në realizimin e këtyre prioriteteve. Ministri Shatri tha se do të punohet në këto drejtime pavarësisht nga vështirësitë të cilat po hasen sidomos me bojkotimin e komunitetit serb për të marrë pjesë në mënyrë aktive në proceset buxhetore dhe në proceset tjera në të cilat po ecën Kosova. “Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të punojë për të mirën e qytetarëve të saj, pavarësisht se në cilën pjesë të Kosovës jetojnë dhe cilit nacionalitet i përkasin ata”, u shpreh ministri Haki Shatri. Më tej, zoti Adams inkurajoi ministrin Shatri që të punohet posaçërisht në dy drejtime, të cilat janë kyçe për vazhdimësinë e asistencës te SHBA ve dhe të donatoreve tjerë për Kosovën. Këto dy çështje janë: marrja e masave antikorrupsion (edhe pse zoti Adams u shpreh se kjo dukuri negative krahasuar me vendet e rajonit në Kosovë është më pak e theksuar), dhe që planet për zhvillim duhet të përfshijnë të gjitha rajonet e Kosovës dhe të gjitha bashkësitë etnike të cilat jetojnë në Kosove. “Duhet të demonstrojmë që Kosova mund të jetë një vend demokratik dhe multietnik”, u shpreh zoti Adams. Diskutimi përfshiu edhe një sërë temash të tjera të rëndësishme për Kosovën, siç janë marrëveshjet për tregti të lirë, menaxhimi i borxhit të jashtëm, aspektet e krijimit të një force të re për siguri etj.

ECIKS / QIK