Prishtinë, 14 nëntor, 2006 – Brenda këtij viti do të përmbyllen të gjitha punimet për rregullimin e infrastrukturës periferike rrugore të kryeqytetit, thanë për KosovaLive zyrtarë të Ministrisë së Transportit dhe Postë Telekomunikacionit (MTPT), ndërkohë që paralajmëruan se në vitin 2007 do të fillojnë punimet për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Shkup.
Zëdhënësi i MTPT-së, Shefki Ukaj, tha se aktualisht janë në përfundim të asfaltimit të rrugës regjionale Prishtinë – Shkup M2, segmenti i rrugës Veternik – Çagllavicë.
“Aktualisht kanë filluar punimet e fazës së tretë të rikonstruimit të rrugës magjistrale, ndërkohë që punët e dheut dhe tamponit kanë përfunduar”, tha Ukaj, duke shtuar se projekti i zgjerimit të rrugës magjistrale ishte i domosdoshëm, pasi që aty përherë krijohej një fyt i ngushtë në trafik.
Ndërkohë, zvarritjen e punimeve të këtij projekti kaq të rëndësishëm për Prishtinën, zyrtarë të MTPT-së e arsyetojnë me disa problemeve rreth zhvendosjes së tri shtyllave elektrike.
“MTPT-ja ka arritur të bëjë zgjidhjen e këtij problemi duke lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), për zhvendosjen e tri shtyllave elektrike në një vend tjetër”, tha Ukaj, duke shtuar se shpenzimet e zhvendosjes së tyre janë kryer nga të dy të palët.
Investitori i vetëm i këtij projekti rrugor është MTPT-ja, e cila për këtë rrugë të gjatë dy kilometre ka investuar afro 2 milionë euro, ndërkohë, sipas zyrtarëve, të MTPT-së, kjo rrugë do të ketë 4 shirita, të cilët do të shërbejnë për automjetet në të dy kahet. Ndryshe, synimi kryesor i zyrtarëve të MTPT-së, është ndërtimi i një autostrade, e cila do të lidhë magjistralen Prishtinë – Shkup.
Sipas Ukajt, gurthemeli i kësaj autostrade mendohet të vihet vitin e ardhshëm, pasi që, sipas tij, është duke u punuar rreth punimit të këtij projekti kaq të rëndësishëm. Ndërkohë, ai tha se realizimi i këtyre projekteve të rëndësishme rrugore në periferi të Prishtinës ka mundësuar një komunikacion më të lehtë.
MTPT-ja në këtë pjesë të Prishtinës, po ashtu ka bërë zgjerimin e rrugës magjistrale M2 nga Stacioni i Autobusëve deri te pompa e karburanteve “Kosova Petrol”. MTPT-ja për ketë rrugë të gjatë rreth një kilometër ka investuar rreth 700 mijë euro, ndërkohë kjo rrugë aktualisht është e gjerë 7 metra, 3.5 metra në mes, e cila është paraparë të jetë hapësirë gjelbëruese, ndërkaq trotuaret e kësaj rruge janë të gjera 2.80 metra.
ECIKS / KosovaLIve