Përmirësohen procedurat e regjistrimit të bizneseve në Kosovë

Me qëllim të lehtësimit të procedurave për regjistrimin e bizneseve në tetë komuna të Kosovës do të hapen qendra për regjistrim të biznesit, të njohura si “One stop shops”.

Për këtë qëllim drejtues të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve, nënshkruan memorandum mirëkuptimi me kryetarët e këtyre komunave.

Në fazën e dytë të këtij projekti do të përfshihen edhe 14 komuna tjera.

Kërkesat për regjistrim të bizneseve në Kosovës janë në rritje të vazhdueshme. Ky projekt synon edhe zvogëlimin e shpenzimeve për regjistrimin e bizneseve dhe ofrimin e këshillave për bizneset.

Drejtori i Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, Mehdi Pllashniku, u shpreh se projekti do t’u mundësojë qytetarëve që në komunën përkatëse të regjistrojnë bizneset e tyre.

Regjistrimi i bizneseve në Kosovë është më i shpejti në rajon. Megjithatë, MTI-ja synon të bëjë hapa të mëtejshëm që këto shërbime t’i ofrojë më afër qytetarëve, tha ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku.

Gjatë fazës së parë, projekti do të zbatohet në tetë komuna: në Podujevë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Gjakovë, Shtërpcë, Dragash dhe në Suharekë. Ndërkaq, gjatë fazës së dytë do të përfshihen edhe 14 komuna tjera.

ECIKS