Përfundon projekti për kontroll të brendshëm të financave publike

Prishtinë, 2 dhjetor 2004 – Ministria e Ekonomisë dhe Financave dhe Agjencia Evropiane për Rindërtim, janë duke realizuar një projekt për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike dhe Auditimit të Brendshëm, që ka për qëllim administrimin më të mirë të burimeve në realizimin e programeve.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave Ali Sadriu tha se ky projekt synon të krijojë njësi brenda agjencive shpenzuese të kontrollit dhe auditimit të brendshëm. “Kjo do të sigurojë që buxheti i konsoliduar i Kosovës do të jetë i planifikuar, do të jetë i menaxhuar dhe i audituar efektivisht”. Gjithashtu ai tha se ky projekt ka për qëllim vendosjen e një sistemi të kontrollit të financave publike dhe auditimit të brendshëm, në nivelin qendror dhe lokal.

Ndërkaq zyrtarja e AER-it, Nadia Konstantini tha se ky projekt ka filluar në janar të këtij viti dhe do të përfundojë në janar të vitit 2005. Projekti përbëhet nga dy komponente: zhvillimi i kontrollit të brendshëm të financave publike dhe zhvillimi i auditimit të brendshëm. Ajo tha se qëllimi i këtij programi do të jetë kryesisht për sqarimin apo elaborimin e kontrollit të financave publike.

ECIKS /QIK