Për privatizimin e 21 ndërmarrjeve janë ofruar mbi 21 milionë euro

Prishtinë, 22 shtator 2005 – Udhëheqësit e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit kanë hapur ofertat për rrethin e shtatë të tenderit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore. Kështu 21 ndërmarrje shoqërore do të privatizohen sipas Spinoff-it të rregullt, prej të cilave do të krijohen 29 ndërmarrje të reja.

Zëvendësshefi i UNMIK-ut Larry Rossin ka theksuar se interesimi i investitorëve në çdo rreth është duke u rritur dhe kjo tregon se zhvillimi ekonomik në Kosovë është duke u bërë hap pas hapi. Ai ka shtuar se është shumë i kënaqur që për çdo valë të privatizimit ka më shumë rezultate pozitive.

Joachim Ruecker, shefi i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut duke folur për rezultatet e arritur në procesin e privatizimit bëri të ditur se deri më tash nëpërmjet privatizimit në fondin e AKM-së do të grumbullohen 119 milionë euro, derisa nga kjo punëtorët do të përfitojnë 23 milionë euro.

Shuma totale e ofertave është mbi 21 milionë euro, ndërsa shuma më e lartë 5.100.000 euro është afruar për ndërmarrjen “Eksimkos”, e cila merret me ofrimin e shërbimeve për tregti.

Në anën tjetër, tri ndërmarrje të tjera do të shiten me Spinoff special.

ECIKS / QIK