Për një vit përfundon procesi i privatizimit në Kosovë

Megjithëse privatizimi në Kosovë ka filluar që prej dy vjetësh dhe janë privatizuar vetëm rreth 20 ndërrmarrje, nga 500 sa pritet të privatizohen, shefi i ri i Ekonomisë së Kosovës, Johackim shpreson të përfundojë privatizimin brenda këtij viti

Prishtinë, 10 mars 2005 – Shefi i ri i Ekonomisë së Kosovës, gjermani Johackim Ruecker ka deklaruar se brenda një viti do të përfundojë procesin e privatizimit të ndërrmarrjeve shoqërore, deklaratë që është vlerësuar si e guximshme.
Për dy vjet, që kur ka filluar procesi i privatizimit në Kosovë, janë privatizuar vetëm rreth 20 ndërrmarrje, nga 500 të tilla që janë pronë shtetërore. “Mendojmë që procesi i privatizimit të kryhet brenda një viti”, tha Ruecker, pas takimit që pati të mërkurën në Prishtinë me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Ismail Kastratin.
Privatizimi i ndërmarrjeve në Kosovë vazhdimisht është bllokuar nga ndërhyrjet e Serbisë dhe ish-shefit të mëparshëm të Ekonomisë së Kosovës, Nikolas Lambsdorf. Shefi i Shtyllës IV të UNMIK-ut, Johackim Ruecker, gjithashtu pohoi se mandati i AKM-së duhet të zgjatet në mënyrë që të përfundojë privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore. Ky mandat përfundon në qershor të këtij viti.
“Opinioni im personal është se AKM-ja duhet të kryejë punën e vet të privatizimit. Kjo në realitet do të thotë se ne do të vazhdojmë mandatin e AKM-së. Natyrisht që këtë do ta diskutoj edhe me përfaqësues të institucioneve vendore dhe me anëtarë të bashkësisë ndërkombëtare”, pohoi Ruecker. Por ky institucion ka disa muaj që nuk funksionon dhe bordi i tij i përbërë nga tre antarë të qeverisë së Kosovës dhe tre ndërkombëtarë, ka kohë që nuk është mbledhur, por sipas Rucker, pritet që këtë muaj të zhvillohet një takim.
Pas takimit, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Ismail Kastrati deklaroi: “Ruecker premtoi se do të punohet me një dinamikë më të madhe që shumica e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të privatizohen brenda vitit. Gjithashtu edhe korporatizimi i ndërmarrjeve publike do të përshpejtohet dhe do të përcaktohet mënyra e organizimit dhe menaxhimit të pronës”. Në takim është diskutuar edhe për çështjen e politikës fiskale dhe për kërkesën që lënda e parë për investime kapitale të çlirohet nga taksat doganore.

Biznesi