Prishtinë, 10 mars 2005 – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqjen pasi Gjykata Ndërkombëtare për Krime të Luftës në Hagë ka ngritur padi kundër tij. Në një deklaratë dorheqjeje drejtuar popullit kosovar, ish-kryeministri i Kosovës, u kërkoi bashkëqytetarëve të pranojnë realitetin, në një thirrje të publikuar në shtyp dje në Prishtinë. “Ju kërkoj të pranoni një fakt që është thuajse i papranueshëm, por bëjeni për vendin tuaj dhe kombin”, shkruhej në thirrjen e Haradinajt. “Qytetarë të Kosovës, më thirrën në Gjykatën e Hagës. Dëshiroj t’ju them se jam i pafajshëm për çdo krim që më akuzojnë”, shtoi Haradinaj, duke pohuar se aktivitetet e tij gjatë konfliktit në Kosovë në vitet 1998-1999 ishin në përputhje me rregullat ndërkombëtare. “Kjo do të thotë se do të bashkëpunoj me drejtësinë ndërkombëtare. Duhet ta pranoj këtë vendim në interes të vendit dhe për të gjithë ju”, bëri të ditur ai. “Komuniteti ndërkombëtar ka bërë një gabim të madh, duke krijuar një gjykatë të tillë, e cila trajton në të njëjtën mënyrë luftëtarët e lirisë dhe agresorët”, vlerësoi Haradinaj. “Gjithçka që është përgatitur kundër meje është pasojë e asaj që është shpikur në Beograd dhe nga aferat që kanë bërë disa persona me Beogradin për të siguruar transferimin në Hagë të kriminelëve serbë”, shtoi Haradinaj.
Haradinaj, ish-komandant në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës midis shumicës shqiptare dhe forcave serbe në vitet 1998 dhe 1999, u mor në pyetje nga prokurorët e Gjykatës së Hagës në nëntor. Ai i ka hedhur poshtë akuzat serbe se ushtarët e tij kanë kryer krime kundër civilëve serbë, por ka thënë se do të shkonte në Hagë për t’u përgjigjur për akuzat. Haradinaj, kryetar i partisë së tretë më të madhe në Kosovë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, u bë kryeministër i Kosovës pas zgjedhjeve të përgjithshme tetorin e kaluar.
BE-ja dhe NATO përshëndesin vendimin e Haradinaj
Zyrtarë të Bashkimit Europian përgëzuan dje vendimin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj për dorëheqjen dhe bashkëpunimin me Gjykatën Penale Ndërkombëtare (TPI) dhe u bënë thirrje kosovarëve për qetësi. “Ky ishte një vendim i guximshëm dhe i pjekur”, vlerësoi në një komunikatë komisioneri europian për Zgjerimin, Olli Rehn. “Nxis popullin e Kosovës të dëgjojë thirrjen e Haradinajt për qetësi”, shtoi ai, duke theksuar se “nuk do të tolerohet asnjë akt dhune dhe se këto të fundit do të jenë kundër interesave të popullit kosovar”. Nga ana e tij, përfaqësuesi i lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Havier Solana, përshëndeti vendimin e Haradinaj për të bashkëpunuar me TPI-në. “Një bashkëpunim i plotë me TPI-në është një detyrim për te gjithë”, theksoi ai.
Ndërkohë që, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, shprehu besimin se Ramush Haradinaj do të përmbushë detyrimet dhe do të bashkëpunojë plotësisht me Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi në një koment që bëri pas ngritjes së padisë kundër kryeministrit kosovar. Duke përmendur sesa e rëndësishme është për Kosovën në këtë moment respektimi i standardeve të vendosura nga komuniteti ndërkombëtar, sekretari i NATO-s saktësoi se bashkëpunimi me Gjykatën e Hagës është një standard i tillë dhe, për këtë arsye, një përçapje e përgjegjshme e Haradinajt dhe popullit kosovar do të jetë një sinjal pozitiv.
Biznesi
