Paratë e pensioneve investohen në ekonominë kosovare

Bordi Drejtues i Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës ka vendosur që 10 milionë euro para të kursimeve pensionale të investohen në ekonominë kosovare nëpërmes depozitimit në sistemin bankar kosovar, ndërsa 60 milionë të tjera do të investohen në tregun ndërkombëtar të kapitalit.

Kryetar i Bordit të Trustit, Besim Beqaj tha se shuma e parave të deponuara në bankat kosovare tani ka arritur në 25 milionë euro.

“Kemi kërkuar një auditim të pavarur të të gjitha bankave. Është e vërtetë se ne kemi kërkuar kushte shumë të sigurta dhe kemi vlerësuar se oferta më e mirë është e NLB-së (bankë me kapital slloven) me 3.5% interes në vit, me garanci të trefishtë”, tha Beqaj.

Beqaj tha se 60 milionë euro të tjetra të kursimeve pensionale në Kosovë do të investohen në tregun ndërkombëtar të kapitali.

Shuma totale e fondit të pensioneve në Kosovë deri më tani është 370 milionë euro. Në Kosovë janë gjithsejtë 260 mijë kontribuues të pensioneve. Brenda një muaji në Kosovë grumbullohen rreth 6 milionë euro nga pensionet.

Trusti i pensioneve vitin e kaluar ishte goditur nga kriza financiare globale, por shumica e mjeteve sivjet janë kthyer me ngritjen e vlerës së aksioneve. Investimi i parave të pensioneve në bankat kosovare pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen ekonomike.