Qeveria e Kosovës është në prag të dhënies me koncesion të Aeroportit të Prishtinë për një periudhë 20 vjeçare, në shkëmbim të investimeve në modernizimin dhe zgjerimin e aeroportit në vlerë prej 100 milionë euro.
Ky është projekti i parë publiko-privat që realizohet në Kosovë.
Sipas kryeministrit Hashim Thaçi, procesi i përzgjedhjes së investitorit do të jetë transparent, ndërsa investimet do të jenë kryesisht në shërbime më të mira dhe infrastrukturë më të zgjedhur, duke përfshirë edhe ndërtimin e një terminali të ri për pasagjerë dhe për kompani që operojnë në aeroport..
Ndërkaq, ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit (MTPT), Fatmir Limaj, tha se partneriteti pritet të lidhet në afat 20 vjeçar dhe me këtë do të përfitojë edhe buxheti i Kosovës.
Tre ofertuesit e përzgjedhur më 29 dhjetor 2009 janë 3 konsorciume të fuqishme ndërkombëtare si konsorciumi gjerman-turk Fraport / ICTAS që menaxhojnë bashkë aeroportin e Antalias. Kompania është menaxhuesi i Aeroportit të Frankfurtit Fraport dhe ka aksione ose kontrata menaxheriale edhe me 10 aeroporte tjera botërore.
Ofertues i dytë është konsorciumi turko-francez Limak- Aeroport de Lyon, që menaxhojnë ndarazi aeroportin e “Sabiha Gokcen” në Stamboll, përkatësisht Aeroportin e Lionit. Ofertuesi i tretë për marrjen me koncesion të Aeroportit të Prishtinës është konsorciumi trepalësh ndërkombëtar “Bouyges Batiment- Egis- PAIC”.
Aeroporti i Prishtinës është i vetmi në Kosovë me mbi 1.2 milion pasagjer brenda një viti. Profiti vjetor i Aeroportit të Prishtinës është 11 milionë euro.
ECIKS/
