Zëvendësi i PSSP-së, Schook, tha se çelësi i nxitjes së investimeve në energjetikë është përcaktimi i statusit. Në anën tjetër, nëse MEM-i ecë me këtë dinamikë dhe statusi shtyhet, atëherë investitorët e ardhshëm në energjetikë do të dihen para statusit. Ata mund të jenë ose amerikanë ose rusë.
Prishtinë, 9 tetor 2006 – Kosova po përgatitet të zgjidhë problemin e energjetikës për një periudhë të gjatë. Bëhet fjalë për investime që mund të shkojnë deri në 2.8 miliardë euro. Por ende nuk dihet se kur dhe kush do t’i ndërtojë ato. Tashmë të hënën për herë të parë është përmendur edhe një ndërlidhje indirekte më vetë statusin e Kosovës.
Esenciale mbetet a do t’i paraprijë dhënia e linjitit statusit apo e kundërta, statusi linjitit. “Kosova ka një element të veçantë pasi që ka rezerva të linjitit që janë të shfrytëzueshme për 40 vitet e ardhshme, mirëpo çelësi i nxitjes së investimeve në sektorin e energjisë është definimi i statusit të Kosovës”, tha të hënën zëvendës kryeadministratori Steven Schook. Fjalët e amerikanit Schook tregojnë qartë se deri tek tenderimi për kapacitetet e reja duhet pritur deri në zgjedhjen e statusit. Por një gjë të tillë nuk është duke e bërë Ministria e Energjetikës dhe Minierave (MEM).
Me qëllim të tërheqjes së investimeve në këtë fushë, MEM-i të martën dhe të mërkurën do të organizojë konferencë ndërkombëtare, ku pritet pjesëmarrje e kompanive të cilat kanë interes për t’u futur në ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë dhe zhvillimin e atyre ekzistuese. Në bazë të qëndrimeve të MEM-it, nëse ecet me dinamikën e paraparë dhe nëse zgjidhja e statusit shtyhet, fituesit e tenderit për mihjen e Sibovcit apo për termocentralin e ri mund të jenë punë e kryer. Çështja ndërlikohet kur kihet parasysh fakti se kush do t’i ndërtojë dhe kontrollojë ato.
Deri tash të interesuar të marrin pasuritë më të mëdha të Kosovës janë paraqitur disa kompani. Por dy kryesoret janë një konzorcium amerikano-grek, ku bëjnë pjesë kompania amerikane CounturGlobal, që thuhet të jetë e afërt me familjen e vetë presidentit amerikan George W Bush, dhe kompanisë shtetërore greke të energjetikës DEI. Në anën tjetër, disa herë interesim ka shprehur edhe kompania e miliarderit rus Oleg Deripaska, Basic Element. Por kush do të jetë pronari i ardhshëm i këtyre pasurive të Kosovës. Aktualisht qeveria e Kosovës përkatësisht MEM-i janë duke studiuar format me të cilat do të përcaktohet e drejta juridike mbi to, për çka është angazhuar edhe një kompani konsulente ndërkombëtare që do të financohet nga Banka Botërore.
Llogaritet se linjiti mund të jetë sferë e ndeshjes së interesave të mëdha. Tashmë disa vende ballkanike vuajnë nga mungesa e energjisë. Por llogaritet se në periudhën afatmesme i tërë rajoni do të ketë mungesa të mëdha të energjisë, ngase termocentralet atomike bullgare duhet të mbyllen pas 2 vjetësh me rekomandime të Bashkimit Evropian. Bullgaria domosdoshmërisht duhet t’u përmbahet këtyre rekomandimeve, ngase në atë kohë do të jetë pjesë e BE-së. E vetmja zgjidhje momentalisht mbetet linjiti i Kosovës, ngase rezervat ujore të Danubit ose lumenjve të vegjël në vendet tjera tashmë janë të shfrytëzuara. Në një lojë të tillë ekziston një çështje e ndjeshme, kush do ta kontrollojë të paktën energjetikën e Kosovës e ndoshta edhe të rajonit në të ardhmen, dhe kush do t’i ndihmojë Kosovës në arritjen e aspiratave të saj.
MEM-i mendon ta zgjidhë problemin e energjetikës duke këmbëngulur në atë se linjiti do të mbetet pronë e Kosovës.
“Duhet të theksoj se Kosova do të mbajë gjithnjë të drejtën e pronësisë mbi burimet nëntokësore të thëngjillit. Për shfrytëzimin e këtij burimi energjetik strategjik, investitori do te kryejë një sërë obligimesh ku përfshihet edhe kompensimi për shfrytëzimin e këtij burimi të papërsëritshëm të energjisë, të ardhura këto që do të shkojnë në buxhetin e Kosovës në forma të ndryshme”, ka vlerësuar ministri i Energjetikes dhe Minierave, Ethem Çeku.
Tashmë dihet se kapitali i huaj privat është kryesor në implementimin e projektit për zhvillimin e sektorit të energjisë, duke ditur se buxheti i konsoliduar Kosovës nuk ka burime të financoj këtë.
“Fatmirësisht, për Kosovën investitorë privatë shumë të mëdhenj dhe të kualifikuar kanë shfaqur interesin e tyre të madh për investime në zhvillimin e mihjes së re në Sibovc dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja të mëdha gjeneruese”, ka deklaruar ministri Çeku.
Por a do të lejohet që MEM-i apo edhe qeveria e Kosovës të vendosë vetë për një projekt të cilin s’mund ta financojë? Burimet energjetike janë pasuria më e madhe e Kosovës. Njëra ndër shtyllat kryesore me të cilat qeveria aktuale e Kosovës synon zhvillimin ekonomik të vendit është energjetika. Edhe pse aktualisht në gjendje jo të mirë energjetike perspektiva, sipas zyrtarëve të qeverisë është pozitive, duke u mbështetur ekskluzivisht në burimet nëntokësore të Kosovës.
Me 14.7 miliardë tonë, Kosova zë vendin e pestë në botë me rezervat industrial të linjitit. Kjo llogaritet pasuri e jashtëzakonshme, nëse merret parasysh fakti se Kosova hyn në numrin e vendeve të vogla me numër të vogël të banorëve.
Gazeta Express