Panik në sistemin bankar të Kosovës

BPK-ja ka kërkuar nga bankat komerciale në Kosovë që deri më 17 tetor të raportojnë për çdo detaj të biznesit të tyre, madje edhe për relacionet e mundshme, ndërmjet menaxherëve e aksionarëve me kredimarrësit

Prishtinë, 7 tetor 2005 – Sistemi bankar në Kosovë po ndodhet para një situate tepër alarmante. Autoriteti i Bankave dhe Pagesave të Kosovës, BPK-ja, që luan rolin e bankës qendrore, u ka dërguar së fundi një letër disa bankave më të mëdha në vend, ku kërkon që ato të japin informacion për çdo detaj që lidhet me kreditë, transaksionet, aksionarët dhe lidhjet e tyre. Kjo, si pasojë e kredive që nuk janë kthyer dhe transaksioneve të dyshimta. Sipas burimeve pranë BPK-së, ndalesë për dhënien e kredive kanë marrë Banka Private e Biznesit, Banka Kreditore Prishtina dhe KasaBanka. Ndalesa është bërë nga një kontroll në këto banka, për të sqaruar pse këto banka e kanë tejkaluar shumën e lejuar për plasmane. Ndërkohë që për shkak të këtyre kredive, Banka Private e Biznesit përballet me “masat e dhunshme” të BPK-së, ku është shkarkuar i tërë bordi, si edhe drejtori i përgjithshëm i saj, Islam Zeka.

Milazim Abazi, drejtor në KasaBank e mohoi faktin se ata ndodhen nën mbikëqyrjen e BPK-së, dhe se iu është ndaluar të japin kredi. “Nuk është i vërtetë fakti që ne na është ndaluar të japim kredi, pasi banka jonë vetëm të premten e kaluar ka dhënë 10 milionë euro kredi,” pohoi Abazi. Sipas një burimi të brendshëm në BPK, janë aksionarët ata që po i çojnë drejt rrezikut bankat në Kosovë. “Për disa veprime të dyshimta, të kryera nga Banka Private e Biznesit, asaj i është pezulluar licenca. Drejtori Islam Zeka është shkarkuar padrejtësisht, pasi fajtorët kryesorë për këto veprime janë aksionarët,” theksoi burimi brenda BPK-së.

Me parë pengesa nga ana e BPK-së ka pasur edhe Banka e Re e Kosovës (BRK), të cilën disa nga aksionarët e saj e çuan në prag shkatërrimi. “Edhe BRK-ja ka pasur probleme të tilla, por tashmë ato janë tejkaluar. Nuk kemi më ndalesa administrative ndërkohë që edhe kreditimi po vazhdon normalisht,” pohoi Vullnet Latifi, menaxher në këtë bankë. Të mërkurën është bërë publik fakti se policia ka kontrolluar edhe KasaBankën, për shkak të disa transaksioneve të dyshimta, si pasojë e të cilave është arrestuar edhe njëri prej pronarëve të Italkosovës, Blerim Svirca. “Policia nuk ka ardhur për të kontrolluar për kredi të këqija, por për një pagesë që është bërë nga KasaBanka. Ne kemi marrë urdhër që paratë e paguara nga buxheti i Kosovës t’i transferojmë deri te pranuesi. Bëhet fjalë për një shumë prej rreth 900 mijë eurosh,” theksoi Abazi. Sipas tij, KasaBank ka shumë pak kredi të këqija.

“Ne kemi kredituar 60 mijë njerëz, dhe momentalisht janë duke shfrytëzuar kredi afro 13 mijë persona. Prej tyre vetëm 440 kanë vonesë në pagimin e tyre, dhe rreth 30 kredi janë vonuar më shumë se 180 ditë. E gjithë shuma e kredive të vonuara është 1,9 milionë euro, që nuk paraqet problem të madh, sepse ne kemi dhënë 300 milionë euro kredi,” pohoi Abazi. Ai tha se i arrestuari Svirca ka marrë dy kredi në KasaBank, në vlerën prej 1,1 milionë eurosh: një në emër të tij dhe tjetrën në emër të kompanisë Italkosova. “Këto nuk i konsiderojmë kredi të humbura, pasi personi i sipërpërmendur ka nën pronësi disa kompani,” përfundoi drejtori i KasaBank. Zyrtarisht pranohet se kredi të këqija të pakthyera kanë të gjitha bankat në Kosovë, por me këtë problem ballafaqohen ato me aksionarë vendës, duke përjashtuar nga kjo listë ProCredit Bank dhe Raiffeisen, të cilat ndjekin një politikë më konservatore, për sa u përket dhënies së kredive.

ECIKS / Biznesi