OMV vazhdon kërkimet në det

Tiranë, 31 maj 2004 – Gazi i lëngët ngjall interesin e disa kompanive të huaja në vendin tonë. Kërkimet për këtë lëndë hidrokarbure, janë bërë publike nga dy kompanitë OMV dhe “Lundin Petroleum”, përfaqësues të të cilave kanë nënshkruar pasditen e djeshme marrëveshjen për kërkimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit me ministrin e Industrisë dhe Energjitikës Viktor Doda. Marrëveshja në fjalë ka si qëllim kërkimet që do të lokalizohen në një sipërfaqe prej 4 mijë e 200 kilometra katrorë në zonën detare nga Durrësi deri në afërsi të Vlorës, në bllokun e quajtur nga specialistët e hidrokarbureve “Durrësi”. Investimi fillestar për fazën e parë të kërkimit, sipas kësaj kontrate parashikohet të jenë rreth 10 milionë dollarë amerikanë. Agron Xhavo, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Hidrokarbureve sqaron për “Shekulli” se në fazën e dytë parashikohet të kryhen 300 kilometra katrorë punime sizmike tredimensionale, për herë të parë në vendin tonë, ndërsa në fazën e tretë parashikohet të shpohen një ose dy puse kërkimi. Kompanitë OMV dhe “Lundin Petroleum” veprojnë në vendin tonë që prej fillimit të viteve ‘90 dhe kanë kryer kërkime të shumta në blloqet e ndryshme të vendit tonë. Aktualisht kompania OMV po kryen shpime kërkimore në zonën e Kaninës në rajonin e Vlorës.

ECIKS / Shekulli