Odisejada e swift-it serb në Kosovë

Prishtinë, 31 maj 2004 – Sugjerimi për aplikimin e kodit Swift të Serbisë dhe Malit të Zi në sistemin bankar të Kosovës erdhi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, punonjës i të cilit është edhe menaxheri i BPK-së, francezi Donat Branager. Një zyrtar i afërt me zhvillimet në BPK, i cili nuk deshi të identifikohet, tha për gazetën se ideja për aplikimin e kodit Swift serb është e FMN-së me një mbështetje nga struktura të caktuara të UNMIK-ut. Në zyrën e FMN-së në Prishtinë as nuk pohuan ose i kundërshtuan këto të dhëna. Në insistimin se a është FMN-ja ideatore e aplikimit të kodit Swift serb në sistemin bankar të Kosovës, një nëpunëse e FMN-së nëpërmjet telefonit citoi shefin e saj të ketë thënë se drejtori i BPK-së, Donat Branager, është duke përgatitur një material nëpërmjet të cilit opinioni do të informohet për të gjitha zhvillimet. Burimi i afërt me BPK-në tha se si zgjidhje nga kjo situatë po shikohet mundësia e inkuadrimit të përfaqësuesve të qeverisë në bordin drejtues të BPK-së, në të cilin momentalisht ndërkombëtarët e kanë shumicën e votave. Ai tha se kjo ide ka gjetur mbështetje edhe te disa struktura të caktuara të UNMIK-ut dhe mund të aplikohet në ditët e ardhshme. Behxhet Haliti, këshilltar i kryeministrit, tha se kërkesa e qeverisë për përfaqësimin e saj në bordin e BPK-së ka ekzistuar kaherë. “Për sa i përket qëndrimit të UNMIK-ut për këtë çështje, unë nuk mund të spekuloj”, – tha ai për “Biznesin”.

Dëmtimi i imazhit
Autoriteti i Bankave dhe Pagesave të Kosovës konsiderohej si një nga arritjet kryesore të UNMIK-ut në 5 vitet e administrimit të Kosovës. Bankat tregtare kosovare deri tani konsiderohen më të mirat në rajon. Kontribut të madh në këtë drejtim ka dhënë FMN-ja, e cila ka mbështetur me ekspertë këtë institucion, duke përfshirë edhe drejtorin menaxhues.

Vendimi i bordit të BPK-së për aplikimin e kodit Swift bankar të Serbisë dhe Malit të Zi, përkundër votave të përfaqësuesve vendorë në bordin e BPK-së, konsiderohet se e ka lëkundur imazhin e BPK-së në sytë e kosovarëve. Qeveria e Kosovës, personeli i BPK-së dhe shoqëria civile konsiderojnë se aplikimi i Swift-it serb cënon të ardhmen politike të vendit nën Serbi. Për këtë arsye gjatë tërë javës së kaluar punëtorët e BPK-së duke përfshirë edhe drejtorët e departamenteve kanë kërkuar që ky vendim të anulohet, përndryshe ata do të ndërpresin punën, gjë e cila do të sjellë në mënyrë automatike bllokimin e funksionimit të sistemit bankar në Kosovë. Në dy mbledhjet e fundit të qeverisë pika kryesore e diskutimit ishte kundërshtimi i Swift-it serb. Qeveria, në mungesë të kompetencave në këtë fushë, u ka bërë apel bankave vendore që të mos e përdorin një kod të tillë.

Heshtja e UNMIK-ut
Deri më tani UNMIK-u nuk është prononcuar për këtë çështje, ndërsa drejtori ndërkombëtar i BPK-së ndodhet në një konferencë ndërkombëtare në Ukrainë.
Swift-in serb momentalisht në Kosovë e përdorin vetëm dy bankat me kapital të huaj në Kosovë, ndërsa 5 bankat tjera vendore e kanë injoruar atë. Njëri nga drejtorët e këtyre bankave është deklaruar se “më parë do t’i vë dryrin bankës sesa të pranojmë kodin e Serbisë”.

Injorimi i vendorëve dhe dështimet
Injorimi i faktorit vendor në menaxhimin e procesit të komercializimit gjatë viteve 2001-2002, si dhe menaxhimi i procesit të privatizimit gjatë vitit 2003-2004 dëshmuan se çdo vendim në kundërshtim me qëndrimet e përfaqësuesve të Kosovës është i paefektshëm.

BPK si autoritet i cili mbikëqyr funksionimin e bankave komerciale, mund të dëmtojë imazhin e këtyre të fundit duke futur në përdorim një kod të një vendi fqinj që nuk konsiderohet i besueshëm për shumicën e popullatës. Në fillim të vitit 2000 ishte e vështirë të bindeshin kosovarët që të kthenin kursimet e tyre nëpër banka, duke marrë parasysh veprimin e bankave në sistemin e kaluar ku shumë kosovarë humbën kursimet e tyre. Ekspertët e sistemit bankar në Kosovë thonë se bankat komerciale do të zbehin besimin në klientët e tyre nëse ato operojnë me kodin e një vendi i cili ka plaçkitur me qindra miliona dollarë kursime gjatë fundit të viteve 80-të dhe fillimit të viteve 90-të.

Pasojat e aplikimit të kodit
Funksionimi i sistemit të mirëfilltë bankar dhe futja e sistemit të pagesave nëpërmjet bankave është një nga parakushtet kryesore për zhvillimin ekonomik të vendit dhe një nga instrumentet më efikase për luftimin e korrupsionit, pastrimit të parave, trafikimit, krimit të organizuar etj.

Deklaratat e kundërta
Më 21 shkurt të vitit 2003, ish-drejtoresha e BPK-së, Rhee, në një intervistë shprehej se nga 28 shkurti i po këtij viti BPK do të punojë ngjashëm me bankat tjera qendore të vendeve fqinj, me përjashtim të së drejtës së emitimit të parasë, pasi monedhë kombëtare konsiderohet euro. Rhee pohonte se emri i vërtetë i këtij institucioni duhet të jetë Banka Qendrore e Kosovës, por kjo do të ndodhë kur të zgjidhet statusi final. Aplikimi i kodit serb nënkupton të kundërtën e kësaj deklarate. Me rregullore të UNMIK-ut, BPK-ja është autoriteti i vetëm në Kosovë i rregullimit, licensimit dhe mbikëqyrjes së bankave komerciale, kompanive të sigurimit dhe skemave private pensionale. Nga 21 dhjetori i vitit 2002 në të gjitha departamentet e BPK-së janë emëruar menaxherë kosovarë. Që atëherë të gjitha funksionet, përfshirë kontabilitetin, mbikëqyrjen bankare, mbikëqyrjen e kompanive të sigurimit, mbikëqyrjen e skemave private pensionale, teknologjinë informative, duke përfshirë edhe auditimin, i kryejnë menaxherët kosovarë. Zyrtarisht të gjithë ndërkombëtarët në BPK (përveç drejtorit menaxhues) janë këshilltarë. BPK-ja është pjesë e UNMIK-ut dhe sipas Kornizës Kushtetuese është fuqi e rezervuar e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë.

Shfuqizimi
Pas protestave të shumta dhe reagimit të Qeverisë së Kosovës autoritetet e BPK-së në Prishtinë të premten hodhën poshtë vendimin për vënien në përdorim të swift kodit të Serbisë në sistemin bankar të Kosovës. Guvernatori i BPK-së Ajri Begu pas një takimi me shefin e shtyllës së IV të UNMIK/ut, Nicholaus Lambsdorff, tha se është vendosur që swift kodi i Serbisë dhe Malit të Zi të mos përdoret në sistemin bankar të Kosovës. Pas këtij vendimi punonjësit e Autoritetit të Bankave dhe Pagesave i ndërprenë protestat katërditëshe dhe iu rikthyen punës.

ECIKS / Biznesi / Mediat