Tiranë, 31 maj 2004 – Ambasada italiane në Tiranë, në bashkëpunim me Ministrinë e Transporteve dhe Telekomunikacionit, organizuan dje në Tiranë, konferencën me temë “Korridori 8-të, sfidë për ndërtimin e një sistemi rrjetesh zhvillimi në rajonin ballkanik”. Ambasadori italian në Tiranë, Atilio Masimo Lanuci, vlerësoi ndërtimin e Korridorit 8-të, si të rëndësishëm për integrimin e Rajonit. Sipas tij, angazhimi i të gjitha vendeve për bashkërendim të punës, “do të ndihmonte më shumë në gjetjen e donatorëve për ndërtimin e tij”.
Ministri i Transporteve, Spartak Poçi, tha se “kjo nismë është pjesë e përpjekjeve që po bëjnë qeveritë e vendeve ku kalon Korridori i 8-të me Bashkimin Europian dhe donatorët”. Ai u shpreh se konferenca shkencore e organizuar, pritet t’i japë një shtysë punës për realizimin e projekteve konkrete në ndërtimin tërësor të këtij korridori. “Ky korridor ka karakter të shumëllojshëm, rrugor, hekurudhor, ajror. Gjithashtu, në këtë korridor përfshihet edhe korridori i gazit dhe energjisë mes vendeve të rajonit”, u shpreh ministri Poçi. Sipas tij, ndërtimi i Korridorit 8-të do të ndihmojë në rritjen e bashkëpunimit mes vendeve dhe në zhvillimin e sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë së çdo vendi si, turizmi dhe biznesi privat.
Në shtator të vitit 2002 u nënshkrua në Bari të Italisë memorandumi i mirëkuptimit të Korridorit të Tetë Paneuropian. Ndërkohë në muajin mars të këtij viti, u zhvillua në Tiranë takimi i ministrave të vendeve të Korridorit të 8-të, që përfshin Shqipërinë, Maqedoninë, Greqinë, Bullgarinë, Turqinë dhe Italinë, me qëllim shqyrtimin e strategjive kombëtare dhe rajonale, për integrimin e këtij korridori ne Rrjetin e Transportit Transeuropian. Korridori 8-të përbën një program kompleks, thelbësor për kohezionin territorial mes Adriatikut dhe Ballkanit, Detit të Zi dhe Lindjes së Mesme. Ai përfshin lidhjen intermodale Perëndim-Lindje mes rajoneve të transportit Paneuropian, Detit Adriatik/Jonian dhe të Detit të Zi. Linja kryesore kalon: Bari/Brindizi- Durrës/Vlorë-Tiranë-Qafë Thanë-Shkup-Plovdiv-Burgas/Varna. Korridori përfshin gjithashtu lidhjen rrugore Ormenion-Svilengrad-Burgas, që lidhet me korridorin 4, 9 dhe rrjetin Transeuropian. Korridori 8-të përben aktualizimin e një sistemi kompleks bashkëpunimi, që parashikon realizimin, praktikisht nga zeroja, te infrastrukturave rrugore prej 960 kilometrash, të rrjeteve hekurudhore prej 1270 kilometrash, të veprave të rëndësishme detare, të stacioneve të reja aeroportuale që përfshijnë një sistem të rëndësishëm tubacionesh gazi dhe nafte.
Qeveria shqiptare ka paraqitur disa muaj më pare, pranë strukturave të Bashkimit Europian, të gjitha projektet që kanë lidhje me Korridorin 8-te dhe sipas burimeve zyrtare, do të vazhdojë të nxisë edhe në të ardhmen iniciativat ndërajonale në këtë drejtim, pasi e konsideron këtë çështje proritare dhe të rëndësishme për të ardhmen e vendit.
ECIKS / ATSH