Agjencia për Promovimin e Investimeve në Kosovë (APIK), nënshkroi kontrata me asociacionet e biznesit dhe organizatat joqeveritare, për organizimin e panaireve “B2B” (biznes me biznes) brenda dhe jashtë vendit.
Me rastin e nënshkrimit të kontratave ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku tha promovimi i investimeve, qofshin vendore apo të huaja, është prioritetet i qeverisë.
Organizatat e kontraktuara nga APIK-u do të bëjnë analiza për investimet e huaja dhe do të ofrojnë informata, do të organizojnë konferenca, panaire etj0, brenda dhe jashtë vendit.
APIK pas konkursit të shpallur, në përputhje me kriteret e caktuara ka bërë përzgjedhjen e 10 asociacioneve dhe organizatave joqeveritare me 23 programe fituese, në vlerë prej 325 mijë eurosh.
Promovimin e investimeve në Kosovë do ta bëjnë këto organizata: Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Shoqata e Gruas– Jeta në Deçan; Asociacioni Kosovar i Turizmit, Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës; Qendra për Menaxhim, Vlerësim dhe Ngritje të Kualitetit; Aleanca Kosovare e Biznesit, Shoqata e Përpunuesve të Drurit, SH-ERA (Woman’s business association); Partneriteti OEK–OEAK.
Gjatë kësaj periudhe do të realizohen takime B2B, panaire brenda dhe jashtë vendit, si në: SHBA, Turqi, Slloveni, Kroaci, Austri, Greqi, Holandë, Zvicër, Shqipëri dhe në Mal të Zi.
ECIKS