Prishtinë, 31 mars 2004 – Pa zgjidhjen e statusit të Kosovës, vazhdimin e procesit të privatizimit dhe ndryshimin e politikës fiskale nuk mund të ketë zhvillim ekonomik. Këto vlerësime u bënë gjatë një debati të organizuar nga Oda Ekonomike lidhur me ndikimin e ngjarjeve të fundit në ekonominë e vendit. Në këtë takim ekspertë të ekonomisë dhe tregtarë kosovarë bënë një vlerësim të gjendjes së ekonomisë pas trazirave të fundit në vend. Gjithashtu, u diskutua edhe për politikat fiskale. Ismail Kastrati, kryetar i OEK-ut, tha se protestat e dhunshme kanë efekte direkte dhe indirekte në ekonomi, para së gjithash në kohën kur u bllokuan rrugët dhe vendkalimet kufitare ndikuan në vështirësinë e qarkullimit të mallrave, të njerëzve, si dhe në shtyrjen e kontakteve të biznesit.
Kastrati tha se me ngjarjet e fundit në Kosovë kemi dëshmuar se kjo trevë është e përcjellë me një shkallë të lartë të rrezikshmërisë së investimeve në rajon. “Investimet e deritashme për krijimin e një bindjeje të opinionit të jashtëm se në Kosovë mund të investohet janë vënë në pikëpyetje”, – tha ai. Hysni Thaçi, drejtor i Entit të Statistikave të Kosovës, tha se investimet për zhvillim ekonomik dhe regjistrime të popullsisë në vendin tonë do të ketë vetëm nëse zgjidhet statusi final i Kosovës. Sipas tij, Kosova është treg i Serbisë dhe Malit të Zi, një treg konsumues si rezultat i mungesës së shtetit dhe mungesës së sigurisë për investimet e jashtme. Ndërsa Nuri Bashota, profesor i ekonomisë, tha se bartja e kompetencave nga UNMIK-u te qeveria dhe një analizë e thukët e qeverisë rreth ngjarjeve të cilat kanë lënë pasoja shumë të rënda në ekonominë e Kosovës, do të mund të ndikojnë në zgjidhjen e problemeve. “Pa ekonomi të tregut, siguri për investimeve dhe pavarësi të Kosovës jemi në një kaos i cili na largon nga zhvillimi ekonomik”, – tha Bashota. Musa Limani, ekonomist, tha se sfidat kryesore që na kanë sjellë në këtë qorrsokak janë politika zhvillimore disfavorizuese për ekonominë e Kosovës, si dhe modeli dhe forma e privatizimit. Limani tha se politika fiskale ndikon vetëm në sistemin buxhetor e jo në zhvillim ekonomik dhe se reagimet e komunitetit të biznesit, OEK-ut, BSPK-së po hasin në vesh të shurdhër të qeverisë dhe UNMIK-ut.
OEK në bashkëpunim me të gjitha institucionet qeveritare dhe joqeveritare do të angazhohet në rifillimin e procesit të privatizimit, ndërrimin e politikave fiskale, duke i bërë ato më stimulative për zhvillimin të sektorit të prodhimit dhe punësim produktiv, si dhe menaxhim më të mirë me kapitalin financiar dhe buxhetin e konsoliduar të Kosovës.
ECIKS/Biznesi