OEK kundërshton ritenderimin e 5 ndërmarrjeve shoqërore

Prishtinë, 26 dhjetor 2003 – Ritenderimi i pesë ndërmarrjeve shoqërore të raundit të dytë të privatizimit është konsideruar i papranueshëm nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe në kundërshtim me rregulloret e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM). Bordi drejtues i AKM-së më 16 dhjetor anuloi fituesit e tenderave të New Co (kompanive të reja të privatizuara) për: “Hotel Metohia”, “Mlladost”, “Kosova Construction”, “Farmakos” dhe “Silkapor”. AKM-ja ka vendosur që të ritenderohen këto ndërmarrje në raundin e tretë të privatizimit.

“Sipas rregullave dhe politikave operacionale të AKM-së, nëse fituesi i parë tërhiqet nga tenderi, atëherë fitues konsiderohet ofertuesi i dytë,” tha Ismail Kastrati, kryetar i OEK-ut.

Sipas tij, OEK-u duke i mbrojtur interesat e komunitetit të biznesit kosovar, konsideron se me këtë vendim, janë shkelur të drejtat themelore të fituesve të tenderëve dhe iu janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. OEK-u këmbëngul që bordi i AKM-së t’i zbatojë vendimet e marra më parë dhe të mos bëjë ritenderimin e këtyre ndërmarrjeve në dëm të fituesve të mëparshëm, si dhe t’i aplikojë në mënyrë të rregullt dispozitat në politikat operacionale dhe rregulloret e tjera përcjellëse të procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore. Kreu i OEK-ut, Ismail Kastrati ka vlerësuar se ritenderimi i ndërmarrjeve ka shkaktuar dëme materiale te fituesit e tenderave, pasi atyre u janë krijuar probleme me partnerët e tyre (sipërmarrës dhe banka). Sipas rregullores së AKM-së, në rast se fituesi i tenderit të kompanisë tëhiqet, atëherë automatikisht tenderi kalon te fituesi i dytë, përveç në rastet kur kemi më pak se tre fitues, dhe për rrjedhojë kërkohet pëlqimi i bordit. Arsyetimi i bordit të AKM-së për ritenderimin e këtyre ndërmarrjeve ka qenë dyshimi se fituesit e tenderave janë marrë vesh për uljen e çmimit të ndërmarrjes.

UNMIK-u ka paralajmëruar se para Vitit të Ri do të shpallet raundi i tretë i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, mirëpo duke llogaritur kohën e shkurtër deri në Vitin e Ri, ka pak gjasa që kjo të ndodhë.

ECIKS / Biznesi