Prishtinë, 26 dhjetor 2003 – Buxheti i Kosovës edhe në vitin 2004 do të vazhdojë të varet nga arkëtimi i tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) në import dhe nga akciza, arkëtime të cilat pritet të sjellin në arkë 351 milionë euro, nga 619 që është gjithsej buxheti.
Drejtori i Buxhetit të Kosovës, Agim Krasniqi, tha për media se pjesa dërrmuese e të ardhurave buxhetore për vitin 2004 do të vilet nga TVSH-ja e importit (193 milionë euro) dhe nga akciza në import (158 milionë euro). Sipas tij, 80 milionë euro do të vilen nga taksat doganore, nga tatimi në paga (16 milionë) dhe nga tatimi në fitim (34 milionë) etj.
Buxheti i rezervuar (i UNMIK-ut) për vitin 2004 do të jetë 154 milionë euro, ose 29 për qind nga buxheti i përgjithshëm. Prej kësaj shume për policinë do të shpenzohen 53 milionë euro, për sistemin e drejtësisë 14 milionë, për TMK-në 15 milionë euro etj.
Me rritjen e buxhetit janë rritur edhe përfitimet e organizatave buxhetore. Pagat e sektorit publik në Kosovë do të rriten për 5 për qind, ndërsa punëtorët e arsimit dhe të shëndetësisë përveç rritjes së përgjithshme do të vazhdojnë të përfitojnë edhe rritjen 20 për qind që u bë gjatë këtij viti. Fondi pensional do të rritet në 63 milionë euro, por pensionet edhe në vitin 2004 do të mbesin 35 euro, për shkak të rritjes së numrit të pensionistëve.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është shpenzuesja më e madhe e buxhetit, me 105 milionë euro. Ministrisë së Shëndetësisë i janë ndarë 50 milionë euro të buxhetit, Ministrisë së Kulturës 9 milionë, Ministrisë së Arsimit 20 milionë, asaj të Planifikimit Hapësinor 3 milionë euro etj.
Karakteristikë e të ardhurave buxhetore është se shumica prej tyre mblidhen në kufi, që është në kundërshtim me rekomandimet që po japin institucionet financiare ndërkombëtare, të cilat i sugjerojnë UNMIK-ut dhe qeverisë që të ardhurat buxhetore të barten në të ardhurat e brendshme.
Në rast të nënshkrimit të marrëveshjeve të tregtisë së lirë, për të cilat Kosova po negocion me vendet e rajonit, të ardhurat nga tatimet që mblidhen në kufi (TVSh-ja në import, akciza dhe taksa doganore) do të shënojnë rënie, pasi me marrëveshjet për tregti të lirë automatikisht hiqen taksat doganore, siç ishte rasti me Shqipërinë këtë vit.
ECIKS / Biznesi