OEAK propozon ndryshime në sistemin fiskal

Prishtinë, 30 nëntor 2006 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), përmes punës së Komitetit të Konkurrencës ka përgatitur një propozim për ndryshime në sistemin fiskal në Kosovë. Drejtoresha Mimoza Kusari-Lila tha se qëllimi i propozimeve është përmirësimi i klimës investuese në Kosovë dhe mos dëmtimi i buxhetit të Kosovës.

Përfaqësues të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë kanë filluar lobimin me institucionet e Kosovës për ndryshimet e mundshme që do të përmirësonin legjislacionin për investime në Kosovë. Zyrtarët e OEAK thonë se propozimi për këto ndryshme, ka edhe mbështetje institucionale. Drejtoresha ekzekutive në OAEK, Mimoza Kusari-Lila, thotë se duke u bazuar në shtete tjera, këto reforma do të kenë efekt pozitiv ekonomik dhe janë esenciale për ta sjellë në jetë ekonominë e vendit. Kusari-Lila tha se edhe përkundër fjalëve, se të gjithë janë për investitorë të huaj, në Kosovë është bërë shumë pak në tërheqjen e këtyre investimeve. Ajo më tej shtoi se është e domosdoshme një politikë inkurajuese për zhvillimin e biznesit. Hyrja në treg e bankave që ofrojnë kredi zhvillimore dhe afatgjate, partneriteti me banka e biznese serioze duke ofruar kamata të ulëta janë disa nga mundësitë të cilat do të ndryshonin ekonominë e vendit. Të gjitha ndryshimet e propozuara, pritet të diskutohen në konferencën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, e cila do të mbahet me 5 dhjetor, ku do të marrin pjesë edhe ekspertë botërorë mbi reformat fiskale.

ECIKS / RTK