Një zonë industriale që do ta shpëtonte Drenasin nga kriza

Kjo zonë është menduar se do t’i tërheqë fabrikat e huaja të montimit të kompjuterëve dhe të automobilave ndërkohë që ende nuk janë bërë kontaktet me investitorët potencialë. Sidoqoftë 99 për qind e montimit të automobilave që prodhohen në Evropë tani kanë qendra e tyre të montimit

Vatra Qehaja

Prishtinë, 28 nëntor 2006 – Korrotica e Ulët e Komunës së Drenasit është zgjedhur si pjesa më e përshtatshme për t’u shndërruar në zonë industriale nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie kjo zonë është më e përshtatshmja për zhvillimin e afarizmit për bizneset prodhuese, për zhvillimin e aktiviteteve të industrisë së lehtë, ka qasje në infrastrukturë rrugore, ka mundësi të mira për t’u kyçur në transportin hekurudhor dhe ka qasje në aeroport.

Ministria e Tregtisë tashmë ka planifikuar që të ndajë 690 mijë
euro sa ka kërkuar kompania konsulente MDA (management and developement associates) që të bëjë projektin e detajizuar për ndërtimin e zonës industriale. Por këto para ka gjasa të shkojnë huq, meqë Ministria akoma nuk e ka idenë se si do t’i sigurojë të gjitha mjetet për ndërtimin e kësaj zone – 22.6 milionë euro.

Kadri Kryeziu, zëvendësministër i MTI-së, tha se ndërtimi i zonave të reja industriale në të ardhmen do të jetë prioritet i kësaj ministrie. Sipas studimeve të bëra ndërtimi i këtyre zonave do të jetë mjeti më i mirë i Kosovës për të përmirësuar dallimet e mëdha që janë krijuar në mes të importit dhe eksportit në Kosovë.

Draftin final MDA-ja do t’ia paraqesë MTI-së të mërkurën.

Projekti, ëndërr e parealizuar nëse nuk financohet nga investitorë të jashtëm

Bujar Zeneli, këshilltar i ministrit të Tregtisë tha se mjetet për ndërtimin e infrastrukturës komplete të kësaj zone, 22 milionë, MDA-ja ka paraparë që t’i sigurojë nga donatorë të mëdhenj.

“Ne si ministri e kemi buxhetin e vogël dhe deri në momentin kur nuk paraqiten investitorë seriozë ne nuk kemi mundësi që të nisim implementimin. Projekti është shumë i mirë, sepse ruan ambientin dhe është mirë të kemi këtë projekt të gatshëm në konferencat me donatorë”, ka thënë Zeneli. Ai tha se ka mundësi që të shtyhet deri në janar të vitit 2008. Zeneli shpreson që ky projekt të implementohet deri në fund, meqë “ka shumë raste këtu tek ne që projektet vetëm nisen dhe lihen në gjysmë”.

Qëllim i ndërtimit të zonave të reja industriale, sipas pjesëmarrësve në prezantim, është krijimi i vendeve të reja të punës dhe sigurimi i vendeve të përshtatshme për bizneset prodhuese.

Llojet e industrisë që do të zhvillohen në këtë zonë janë industria e montimit dhe logjistikës, të cilat sipas MDA-së, kompanisë konsulente që ka bërë analizat ekonomike për zonën, pritet të hapin 18 mijë vende të reja puna.

Paga mesatare e të punësuarve në këtë zonë pritet të jetë më e lartë se paga mesatare në Kosovë. Katërqind euro në muaj do të jetë paga mesatare e punëtorëve të angazhuar në montim, treqind ajo e atyre që do të punojnë në qendrën e logjistikës dhe treqind e pesëdhjetë e atyre që punojnë në qendrën administrative.

Sipas studimeve të MDA-së që projekti të jetë i suksesshëm hyrjet financiare duhet të jenë 80 për qind më të larta se kostoja e ndërtimit gjë që edhe vetë ata kanë pranuar se është vërtetë e vështirë të arrihet për Kosovën. I tërë projekti sipas kësaj kompanie do të mund të kushtonte rreth 22.6 milionë euro që sipas zyrtarëve të MTI-së ka qenë e papranueshme.

“Për momentin kjo është një shifër e lartë për Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Isa Dukaj, ushtrues i detyrës së Drejtorit në Departamentit të Industrisë.

Megjithatë, MDA-ja ka paraparë që 80 për qind të kostos për ndërtimin e zonës të financohet nga institucionet financiare si BERZH dhe Banka Botërore.

Qeveria ka disa opsione në dispozicion për të kthyer investimet e bëra në këtë zonë. Një opsion është dhënia e tokës me qira për investitorët nga ana e qeverisë.

Kjo zonë është menduar se do të tërheqë fabrikat e huaja të montimit të kompjuterëve dhe të automobilave, ndërkohë që ende nuk janë bërë kontaktet me investitorët potencialë. Sidoqoftë 99 për qind e montimit të automobilave që prodhohen në Evropë tani kanë qendra e tyre të montimit.

Projekti do të ulte shkallën e papunësisë në Drenas

Zona industriale ka hapësirë prej 105 hektarësh. Ajo shtrihet në qendër të Kosovës, 22 kilometra larg Prishtinës dhe 70 kilometra larg prej Pejës. Aeroporti i Prishtinës ka premtuar se do ta rrisë kapacitetin dhe të ofrojë aeroplanë që transportojnë 40-50 tonë material për të ndihmuar bizneset që do të zhvillojnë aktivitetet e tyre në këtë zonë.

Mënyra e transporti të brendshëm pritet të zgjidhet nga investitorët potencialë. Gjysma e zonës është ndarë për veprimtaritë prodhuese dhe 30 për qind për ato të logjistikës. Shiriti i gjelbërimit kap një sipërfaqe prej shtatë për qind. Minimumi i sipërfaqes që është planifikuar ta zërë një fabrikë është katër deri në pesë hektarë.

Qendra e zonës është rezervuar për veprimtaritë e bizneseve të vogla dhe të mesme.

MTI-ja ka kërkuar që një vend të ndahet edhe për prodhuesit vendorë apo për një objekt për panaire dhe marketing që do të financohet nga MTI-ja.

Sipas ekspertëve, industritë e llojeve të tilla nuk janë ndotëse të mëdha por ata kanë tërhequr vëmendjen se duhet bërë studime për ndikimet në mjedis të secilit objekt ndaras. Kjo zonë është afër Obiliqit dhe “Ferronikelit” që janë dy ndotës të mëdhenj të ambientit në Kosovë.

Zyrtarë të kësaj ministrie shpresojnë që nisur nga fakti që Kosova ka fuqinë punëtore ndër më të lirat në Evropë, këto zona industriale do të tërheqin investitorë të huaj.

“Zhvillimi i zonave të reja industriale me infrastrukturë përcjellëse, si ligjore, ashtu edhe teknike, duhet të bëhet sa më shpejt për të siguruar një zhvillim të shpejtë ekonomik”, tha Kryeziu. Ndërkaq Korrotica e Ulët e Komunës së Drenasit, sipas tij, është zgjedhur pas vlerësimeve të ekspertëve dhe shqyrtimit të ofertave të të gjitha komunave të Kosovës.

Sherie Mustafa, drejtoreshë e Departamentit të Ekonomisë në Komunën e Drenasit, tha se ky projekt është i rëndësishëm për Drenasin pasi ky rajon karakterizohet me zhvillim të ulët ekonomik dhe shkallë të lartë të papunësisë, ndërsa vendi ka potencial për zhvillim të ardhshëm ekonomik.

Ndërkohë, në Kosovë, sipas MTI-së, ende nuk ekziston një autoritet i pavarur i zonave industriale që do t’i rregullonte aktivitetet e këtyre zonave. Ende nuk janë bërë as studimet nëse ka një lokalitet arkeologjik në zonë. Bedri Drini, udhëheqës i projektit, ka thënë se në fazën e dytë të këtij studimi të fizibilitetit është projekti ideor, pas të cilit mund të shkohet në investime.

MTI-ja edhe para dy vitesh ka filluar ngritjen e një parku industrial në Drenas që është 18 hektarë dhe që është planifikuar të shërbejë si inkubator për bizneset e vogla.

Koha Ditore