Me qëllim të rritjes së bashkëpunimit ndërmjet bizneseve kosovare dhe atyre nga Finlanda, në Prishtinë është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike të Finlandës.
Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Januz Kastrati vlerësoi lartë kontributin që po japin bizneset e Finlandës për zhvillimin ekonomik në Kosovë.
“Qeveria do të mbështesë bashkëpunimin e bizneseve vendore me ato jashtë vendit në mënyrë institucionale, përmes politikave të favorshme të investimeve, në krijimin e kushteve për konkurrencë të drejtë si dhe përshpejtimin e procedurave administrative në nivel qendror dhe lokal”, tha Kastrati.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj vlerësoi se nënshkrimi i marrëveshjes paraqet fillim të bashkëpunimit me vendet skandinave dhe kjo sipas tij, është shembull i mirë që vendet skandinave tregojnë interesim për bashkëpunim ekonomik me Kosovën.
Anne Hatanpaa, nga Oda Ekonomike e Finlandës tha se qëllimi i kësaj marrëveshje është rritja e bashkëpunimit në mes të bizneseve të Finlandës dhe Kosovës.
ECIKS