Komiteti drejtues i projektit “Kosova e Re” e ka shtyrë për një muaj kohën kur investitorët duhet t’i paraqesin propozimet dhe draft-marrëveshjet e projektit “Kosova e Re”.
Ministrja e Energjisë dhe e Minierave, Justina Shiroka-Pula ka thënë se investitorët e parakualifikuar duhet të dorëzojnë komentet e tyre eventuale mbi draft-dokumentacionin e tenderit deri më 29 tetor 2010.
“Ata kanë pasur afat deri në fund të muajit shtator t’i paraqesin ofertat dhe kërkesat e tyre, por për shkak të afatit shumë të shkurtër dhe kompleksitetit të projektit, Komiteti drejtues e ka aprovuar kërkesën e investitorëve që të shtyhet afati deri në fund të muajit tetor”, ka thënë ministrja.
Pas pranimit të kërkesave, Komitetit drejtues i nevojiten rreth 1 muaj në analizimin e komenteve dhe për finalizim të dokumentacionit.
Projekti “Kosova e re” parasheh që të do të krijohen dy korporata, ajo e thëngjillit dhe e gjenerimit. Kapacitetet e termocentralit të ri do të jetë 300 plus 300 megavatesh. Por, në kuadër të kompanisë së gjenerimit do të jetë edhe termocentrali “Kosova B”, i cili pritet të rinovohet nga investitori.
Në garë për këtë projekt janë: Konsorciumi Adani Power- Adani Global nga India dhe Indonezia; Konsorciumi AES Eelctric Ltd / Demir Export A.S. nga SHBA-ja dhe Turqia; Park Holding nga Turqia dhe Konsorciumu PPC / ContourGlobal LLP nga Greqia, Anglia dhe SHBA-ja.