Nisi gara për energjetiken

Prishtinë, 3 dhjetor 2006 — Ministria e Energjetikës dhe Minierave (MEM) ka përmbyllur fazën e shprehjes së interesit për investimet në kapacitetet e reja energjetike.

Kompania energjetike nga Çekia, CEZ është e vetmja që ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë fazë të investimeve. “Po, kemi marrë pjesë në këtë fazë. Nuk mund të them asgjë më tepër,” tha Bajram Rexhepi, përfaqësues i kësaj kompanie që kohë më parë ka hapur zyrën në Prishtinë. Ndërsa, MEMi ka qenë krejtësisht jotransparent ndaj këtij procesi, duke ruajtur me fanatizëm emrat e investitorëve potencialë në projektin më madhor të Kosovës. Ndër kompanitë tjera të interesuara janë edhe konzorciumi greko-amerikan, i përbërë nga kompanitë CounturGlobal, që thuhet të jetë e afërt me familjen e vetë presidentit amerikan, George W Bush dhe asaj shtetërore greke, DEI. Kompani tjetër që ka shprehur interesim është edhe Basic Element, kompani e miliarderit rus, Oleg Deripaska.

Por, gara është shumë më e nxehtë, ngase interesim në dëgjimin e parë publik të projektit kanë marrë pjesë dhjetëra kompani botërore me mbi 100 përfaqësues.

Sipas planeve të MEM-it, pas fazës së parë do të bëhet edhe shpallja e tenderit, e cila do të përmbyllet në vitin 2007 dhe kontrata do të nënshkruhet në fillim të vitit 2008.

Sipas MEM-it, Qeveria e Kosovës do të sigurojë shërbimin e Këshilltarit të Transaksionit, të financuar përmes grantit të Bankës Botërore, për të shërbyer si përcjellës i informatave, dokumentacionit dhe dokumenteve ligjore të kërkuara nga investitorët potencialë që janë në listën e shkurtër, dhe të zhvillojë propozimin për projekt në formë të KPPsë (Kërkesa për propozim).

Këshilltari i Transaksionit pritet të fillojë punën në fillim të vitit 2007, ndërsa pas kësaj do të pasojë shpallja e KPP-së. Në bazë të projektit, shpallja e ofertuesve të parakualifikuar do të bëhet jo më vonë se në fund të tremujorit të parë të vitit 2007.

“Për shkak të kompleksitetit të vet, për këtë projekt do të konkurrojnë kompani shumë të fuqishme ose konsorciume të përbëra nga kompani të kualifikuara private. Procesi i konkurrimit do të jetë i hapur, transparent dhe jodiskriminues për të gjithë ofertuesit dhe ky proces do të përmbyllet me nënshkrimin e kontratës në fillim të vitit 2008.

Ofertuesi do të jetë përgjegjës për implementimin e të gjithë komponentëve të projektit,” thuhet në projekt.

Por, ky plan i MEM-it jo nga të gjithë konsiderohet adekuat. Partia Reformiste ORA, konsideron se me këtë hap institucionet që kanë marrë vendim për një gjë të tillë kanë dëshmuar një dështim të programuar. “Hapja e këtij procesi të tenderit për investime në energjetikë, është dështim i programuar”, tha Genc Gorani, deputet i ORA-s, dhe anëtar i Komisionit për energjetikë në Kuvendin e Kosovës.

Sipas Goranit, kjo është njëra ndër zgjidhjet më të këqija që do të mund të ndodhte, për investimet në resurset më të mëdha të Kosovës.

“Ne para një muaj e gjysmë e kemi publikuar një dokument për ndërrimin e modelit të investimeve në energjetikë. Ne jemi kundër investimeve momentale në Sibofc, sepse konsiderojmë se ende nuk është koha e duhur të bëhet një gjë e tillë”, shtoi ai.

Gorani përmendi një plan në pika të shkurtra se si mund të favorizoheshin kosovarët duke përfituar nga investimet në energjetikën kosovare. Sipas idesë që ai përmendi, çdo qytetari të Kosovës do t’i jepej mundësia të jetë aksionar në energjetikën e Kosovës.

“Këto resurse natyrore,të cilat janë edhe bazë e investimeve, do të duhej të privatizoheshin në një mënyrë shumë më të mirë. Shuma e cila është planifikuar të shitet apo të investohet në të, rreth 40 për qind do t’i takonte popullit të Kosovës, në këtë mënyrë çdo qytetar do të kishte të drejtë të jetë edhe aksionar në të. 20 për qind do të duhej t’i mbetej Qeverisë, e cila, pasi të definohej statusi i Kosovës, mund të marrë kredi për të investuar që ajo pjesë t’i takojë shtetit të Kosovës. Ndërsa 40 për qind që do të mbetej, do t’iu jepej hapësirë investitorëve ndërkombëtarë, të cilët janë të interesuar të investojnë në Kosovë”, tha Gorani.

Kriteret per zgjedhjen e ofertuesve

Ofertuesi potencial (drejtpërdrejt ose së bashku me një ose më shumë ofertues të mundshëm së bashku) duhet t’i përmbushë kriteret vijuese minimale për t’u kualifikuar si “ofertues i parakualifikuar”:

1) Ka pasur zhvillime në fushë të gjelbër, gjenerim të energjisë elektrike me ndezje të qymyrit apo linjitit, që janë duke u ndërtuar ose janë operative, me fuqi prej më shumë se 2.500 MW;

2) Ka pasur rritje në më shumë se 2 miliardë euro borxh në mbështetje të projekteve të ose nëpërmjet financimit afatgjatë të korporatave deri më 30 nëntor 2006 në sektorin e energjisë dhe/ose minierave; ose ka së paku 2 miliardë euro rezerva të lira të parave të gatshme, siç është deklaruar në deklaratën e revizionuar financiare të fundvitit 2005;

3) Ka zhvilluar dhe është duke operuar, deri më 30 nëntor 2006, miniera që prodhojnë më shumë se 20 milionë tonë në vit thëngjill ose linjit dhe kontrollon ose operon me një ose më shumë kompani dhe/ose ka koncesione të gjenerimit të energjisë me një kapacitet të përgjithshëm prej së paku 10.000 MW deri më 30 nëntor 2006.

Në rast se këto kritere minimale nuk mund të plotësohen nga një ofertues i ardhshëm (në mënyrë direkte ose së bashku me anëtarët e një ofertuesi të ardhshëm), një ofertues i tillë mund të formojë me kompani të tjera një konsorcium ofertues, i cili do t’i plotësojë të gjitha këto kritere minimale; mirëpo vetëm nëse secili anëtarë i konsorciumit të tillë plotëson së paku një nga këto kritere minimale.

Aspektet financiare te projektit sipas MEM-it

Ndërtimi i një termocentrali të ri të bazuar në linjit, me një kapacitet të përgjithshëm të instaluar në mes të 1.800-2.100 MW do të kryhet në dy faza në një vend afër Kosovës B. Faza e parë pritet të jetë funksionale në mes të viteve 20012 dhe 2014. Kërkesat e përgjithshme të vlerësuara për investime për ndërtimin e termocentralit të ri janë rreth 2.3 – 2.7 miliardë euro. Do të hapen 1.500 vende të reja të punës; Do të ketë një bruto qarkullim vjetor prej 650 milionë euro; Do të sigurohen 150 milionë euro të hyra vjetore për Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës.

Gazeta Express / ECIKS