Nis privatizimi KEK-ut

Pasi u kritikua nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për vonesa rreth privatizimit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Qeveria e Kosovës i ka hyrë kësaj punë më seriozisht. Kompania konsulente – IFC, e cila është pjesë Bankës Botërore, ka nisur punën e vlerësimit dhe ka bërë planin për privatizim të Divizionit të distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike. Komiteti për privatizim, në përbërje të vendorëve, të hënën ka diskutuar me përfaqësuesit e kësaj kompanie, për gjetjen e modaliteteve rreth privatizimit. Megjithatë, nuk dihet data se kur shkohet në tenderim.

“Kompania e ka bërë njëfarë plani. Mirëpo, s’ka pasur diçka konkrete. Më shumë gjëra të përgjithshme”, tha për Express Lutfi Zharku, ministër i Industrisë dhe Tregtisë, i cili ka marrë pjesë në takimin e Qeverisë me kompaninë. Vetëm pak ditë më parë, misioni i Fondit Monetar kritikoi Qeverinë se po vonohet rreth privatizimit të KEK`ut dhe se një pjesë e madhe e shpenzimeve shkojnë për ketë kompani, e cila nuk arrin t’i mbulojë humbjet e saj.

“Marrëveshja e shumëpritur mes Bankës Botërore, USAID`it dhe autoriteteve për strategjinë e sektorit të energjisë, më në fund u arrit vonë kësaj vere. Mirëpo, investitorët privatë dukshëm janë të shqetësuar nga risku i investimeve që nënkuptohet nga kjo strategji dhe dy ofertuesit më të mëdhenj janë larguar nga tenderi për rritje të kapacitetet energjetik”, thuhet në vlerësimin e misionit të FMN`së.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se bashkë me ndërkombëtarët është arritur progres i dukshëm në krijimin e kornizës ligjore dhe rregullatorit. Privatizimi i KEK-ut, sipas tij, është dëshmi se Qeveria ka si qëllim të sigurojë energji të mjaftueshme për qytetarët e Kosovës.

“Po dëshmohet përkrahja e Qeverisë për një privatizim të suksesshëm e transparent të shpërndarjes dhe shitjes në KEK. Qëllimi ynë është që të sigurojmë një furnizim me energji elektrike, që është një ndër parakushtet kryesore të një zhvillimi ekonomik të Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se pjesëmarrja e sektorit privat në rrjetin e shpërndarjes do të rritë shërbimet për konsumatorët, duke përfshirë rritjen e faturimit dhe inkasimit dhe humbjet e energjisë. Ndërkaq, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, tha se Komiteti do ta përcjellë në vazhdimësi procesin e privatizimit. Ai ka siguruar të gjithë ofertuesit se do të jenë të barabartë dhe se procesi do të tenderohet ndërkombëtarisht, mirëpo nuk ka dhenë një datë se kur do të ndodhë kjo.

Shala ka treguar edhe rolin që do ta ketë këshilltari i transaksionit.

“Këshilltari i transaksionit do të japë këshillime për politika dhe këshillime për projektin e privatizimit”, tha ai. Sfidë dhe objektiv i Qeverisë, sipas tij, ka qenë të ndalen subvencionet, të cilat kanë shkuar për KEK-un dhe ndërmarrjet publike. Ndryshe, Qeveria e Kosovës muaj më parë ka aprovuar vendimin për shthurjen e KEK-ut.

Gazeta Express