Prishtinë, 2 mars 2006 – Filloi sot puna e grupeve punuese për hartimin e vizionit për “Planin dhe Strategjinë Zhvillimore të Kosovës 2007-2013”, që udhëhiqet nga kryeministri dhe Grupi Ndërministror i Kosovës. Konsultimet do të zhvillohen në shtatë rajone të Kosovës, ndërsa procesi i tërësishëm i hartimit të strategjisë, duhet të përfundojë deri në fund të këtij viti. Kështu thanë përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, në takimin e parë të punës të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Biznesit.
Oda Ekonomike dhe Aleanca Kosovare e Biznesit, filluan sot konsultimet me përfaqësues të komunitetit të biznesit për planin dhe strategjinë zhvillimore të Kosovës. Këto konsultime, sipas zyrtarëve të Odës, do të ndahen në shtatë fokus- grupe dhe do të përfshijnë grupin për gjininë, universitetin, shoqërinë civile etj, u shpreh kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj:
“Ne si Odë do ta përmbyllim procesin e konsultimeve gjatë muajit mars dhe pastaj do ta dorëzojmë dokumentin, për më tutje është çështje e sekretariatit. Planifikohet që deri në fund të vitit duhet të përfundojë si proces i tërësishëm”.
Sipas Beqajt, zhvillimi ekonomik mund të orientohet në tri drejtime bazë, por për to do të vendosë grupi punues:
“Në fushën e procesimit të produkteve bujqësore, përpunimit të produkteve bujqësore në nivel të industrisë, dhe kjo karakterizohet me angazhim më të madh të punëtorëve, investime më të vogla dhe kthim të shpejtë të kapitalit. Në fushën e sferës energjetike, ngase në bazë të studimeve në nivel ndërkombëtar, Kosova është e dyta në rajon për resurset energjetike pas Rumanisë, dhe industria e lehtë e metalurgjisë përpunues të metaleve me ngjyra”.
Përfaqësuesi i grupit ndërministror, Muhamet Sadiku tha se strategjia e qeverisë është gjithëpërfshirëse, e fokusuar në kornizën makroekonomike dhe që mbështetet në kapacitetet e Kosovës. Si e tillë, theksoi Sadiku do të mund të zbatohet, dhe është në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian:
“I tërë procesi tregon se gjatë realizimit do të arrijmë konsensus, d.m.th konsensus rreth objektivave dhe rreth përparësive, politikave dhe projekteve në të cilat do të mbështetet strategjia e ardhshme”.
Oda Ekonomike dhe Aleanca Kosovare e Biznesit do t’i udhëheqin konsultimet për rajonin e Prishtinës, RIINVEST-i në Mitrovicë, Gjilan e Ferizaj, ndërkaq Forumi i Iniciativës Demokratike në Gjakovë, Pejë e Prizren.
Ndryshe, edhe ish ministri i tregtisë dhe industrisë Ali Jakupi, ishte angazhuar për hartimin e një strategjie Zhvillimore të Kosovës 2003 – 2008, e cila nuk gjeti përkrahje nga qeveria. Dështoi po ashtu edhe përpjekja e një grupi ekspertësh ndërkombëtarë për hartimin e një projekti të tillë.
Ndërkaq, projekti i tashëm i qeverisë, pas hartimit, pritet të gjejë zbatim në praktikë.
ECIKS / Radio Kosova (Drita Loshi)