Nga dhjetori kosovarët do të paguajnë 3.5 euro për RTK-në

Prishtinë, 15 Nëntor) 2003 – Që nga muaji dhjetor, qytetarët e Kosovës do të fillojnë ta parapaguajnë servisin publik, Radio dhe Televizionin e Kosovës. Sipas Charles Brown, menaxher ndërkombëtar në KEK, në faturen e muajit nëntor, e cila do të paguhet në muajin dhjetor, do të jetë e shkruar se kosovarët kanë për detyrë t’i paguajnë edhe 3.5 euro për RTK-në.

“Marrëveshja po rishikohet edhe njëherë nga këshilltarët e mi ligjorë dhe marrëveshja do të nënshkruhet të hënën”, tha Charles Brown. “Qytetarët e Kosovës do të fillojnë ta parapaguajnë RTK-në në dhjetor për faturat e muajit nëntor”.

Sipas Charles Brown, parapagimi i servisit publik të Kosovës më ndihmën e KEK-ut, për momentin mund edhe të mos jetë i dobishëm për vetë KEK-un, mirëpo në aspektin afatgjatë do të jetë i dobishëm për të gjithë.

Unë mendoj që të gjihtë do të përfitojnë kështu që edhe KEK-u do të përfitojë, shtoi Brown.

Në qershor të këtij viti ishte nënshkruar një rregullore nga kryeadministratori i Kosovës për fillimin e parapagimit. Edhepse parapagimi është dashur të filloj më heret, sipas zyrtarëve të KEK-ut kjo vonesë është bërë derisa janë qartësuar disa pozicione ligjore.

Ndërkohë, të hënën pritet që marrëveshja mes RTK-së dhe KEK-ut të nënshkruhet ashtu siç janë pajtuar palët me heret, pa asnjë ndryshim të asnjë neni dhe të asnjë aneksi.

ECIKS / RTK