Nesër konferencë për Kosovën në Vjenë

Vjenë, 20 mars 2007 – Nesër në Vjenë mbahet konferenca e organizuar nga Instituti për Regjionin e Danubit dhe Evropën Qendrore (IDM) dhe nga Nisma Ekonomike për Kosovën (ECIKS) e që si temë diskutimi do të ketë ardhmërinë e Kosovës.

Ekspertë dhe përfaqësues nga lëmi i politikës, ekonomisë dhe shoqërisë do të diskutojnë perspektivat e Kosovës në tri panele tematike, atë politik, panelin ekonomik dhe panelin për çështje të shoqërisë. Fjalimet kryesore në hapje të konferencës do t’i mbajnë Veton Surroi, anëtar i ekipit të unitetit dhe kryetar i partisë ORA dhe Stefan Lehne, përfaqësues i BE-së në procesin e definimit të statusit final të Kosovës. Në mes të tjerëve, në panelin politik do të diskutojë edhe shefi i Zyrës Austriake në Kosovë, Alexander Bayerl.

Në panelin ekonomik, që organizohet nga Nisma Ekonomike për Kosovën – ECIKS, do të diskutohet për gjendjen e tashme ekonomike në Kosovë dhe mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në të ardhmen. Përveç kryetarit të ECIKS, Kujtim Dobruna, në këtë panel do të diskutojnë edhe përfaqësuesit e Agjencisë Austriake për Zhvillim Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe të disa institucioneve tjera ekonomike në Vjenë.

Krahas ish ministrit austriak të mbrojtjes, Fridhelm Frischenschlager, në panelin për çështje të shoqërisë, do të diskutojë edhe Beqë Cufaj, publicist dhe përfaqësues i organizatës “Nisma Evropiane e Kosovës”.

Për më shumë informata kontakto:

Nisma Ekonomike për Kosovën – ECIKS
Nussdorfer Strasse 20/23
A-1090 Vienna, Austria
Tel.: +43 (01) 890 50 26
Fax.: +43 (01) 890 50 26 26
E-Mail: info@eciks.org