Kompania e sigurimeve nga Vjena, Wiener Städtische Versicherung AG, planifikon të futet në tregun shqiptar të sigurimeve.
Prishtinë, 19 mars, 2007 – TBIH Financial Services Group N.V. ku grupi i sigurimeve Wiener Städtische Versicherung AG Vienna mbanë shumicën e aksioneve, ka nënshkruar një Memorandum të mirëkuptimit për përvetësimin, e së paku 60 për qind të aksioneve të Sigma Sh.a., me seli në Tiranë.
Kompania e sigurimeve Sigma Sh.a. është themeluar në vitin 1998. Kjo kompani ka degën e saj në Maqedoni dhe filialin në Kosovë, me rreth 160 të punësuar.
“Sigma Sh.a. ia mundëson Vienna Insurance Group hyrjen e hershme në tri tregje të sigurimeve me potencial për arritje të mëdha. Kompania amë është grupi i dytë më i madh i sigurimeve në Shqipëri dhe veçse është e pozicionuar mirë në treg”, ka komentuar Günter Geyer, shef ekzekutiv i Wiener Städtische Versicherung AG Vienna Insurance Group.
”Me këtë transaksion Vienna Insurance Group arrin edhe një zgjerim gjeografik. Ne do të jemi të pranishëm në madje 20 shtete, duke dëshmuar një pozitë unike të tregut në rajonin dinamik të Evropës Lindore dhe Jugore”, tha ai.
Në vitin 2006, Sigma Sh.a. ka gjeneruar një volum prej rreth 15 milionë eurosh në të tri shtetet. Fokusi kryesor është sigurimi i mjeteve motorike. Në Shqipëri, Sigma Sh.a. ka rreth 19 për qind të tregut dhe si rrjedhojë radhitet shkëlqyeshëm në vendin e dytë të tregut. Me 25 filiale si dhe agjentë në të tri shtetet, Sigma Sh.a. posedon një rrjet shpërndarës gjithëkombëtar.
Në vitin 2005, tregu i sigurimeve shqiptare ka shënuar vëllimin e përgjithshëm prej 32 milionë eurosh.
ECIKS