Nënshkruhet kontrata për autostradën Vërmicë-Merdarë

Qeveria e Kosovës e ka nënshkruar kontratën në vlerë prej 700 milionë euro, me konsorciumin amerikan-turk, “Bechtel & Enka” për ndërtimin e autostradës nga Vërmica në Merdarë, që e lidh Kosovën në jug me Shqipërinë dhe në veri me Serbinë.

Mjetet për realizim e këtij projekti, sipas kryeministrit Hashim Thaçi, do të sigurohen nga buxheti i Kosovës, nga donatorët dhe nga marrja e kredive.

Në emër të Qeverisë, kontratën e nënshkroi ministri i Transportit, Fatmir Limaj, kurse në emër të konsorciumit “Bechtel & Enka”, Michael Adams dhe Sinan Tara.

Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë edhe ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Turqisë.

Kryeministri Thaçi e cilësoi këtë si një moment historik të realizimit të ëndrrës së Kosovës.

“Ky projekt i autostradës Vërmicë- Prizren- Prishtinë- Merdarë i ndihmon qytetarët, duke u krijuar mundësi të reja të lëvizjes së lirë dhe e integron shtetin e Kosovës fuqishëm në rajon”, tha Thaçi.

Sipas ministrit Limaj me këtë autostradë, Kosova po lidhet me Evropën dhe po bëhet një faktor edhe më i rëndësishëm i rajonit.

Autostrada do të ndërtohet segment pas segmenti dhe do të fillojë të punohet në ndërtimin e segmentit të parë dhe të dytë, nga Vërmica deri në Qafë të Dulës.

Autostrada Vërmicë-Prishtinë-Merdarë do të jetë autostradë me gjerësi prej 28 metrash, dy shirita qarkullues me nga 3.75 metra, një shirit ndihmës emergjent 2.5 metra dhe brezi i gjelbër në mes me gjerësi 3 deri në 4 metra.

Ardhja në Kosovë e kompanisë më të madhe inxhinierike në SHBA, “Bechtel” paraqet një sinjal të mirë se në Kosovë janë krijuar kushte për investime të jashtme.

ECIKS