Në Vjenë promovohet ekonomia kosovare

Vjenë, 15 mars 2006 – Përfaqësues të institucioneve relevante kosovare dhe austriake u mblodhën te mërkurën në Vjenë në konferencën “Partneri ekonomik Kosova” për të diskutuar mundësitë e tërheqjes së investimeve në Kosovë. Konferenca e organizuar nga Oda Ekonomike e Austrisë në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës, Institutin Austriak WIFI dhe Nismën Ekonomike për Kosovën – ECIKS mblodhi rreth tridhjetë ndërmarrës nga Kosova dhe po aq partnerë potencial nga Austria.

Në hapje të konferencës, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, z. Besim Beqaj, bëri një paraqitje përmbledhëse të zhvillimeve të fundit në Kosovë, si nga aspekti politik ashtu edhe nga ai ekonomik dhe ftoi ndërmarrësit austriak të shfrytëzojnë potencialet që ofron Kosova duke investuar në këtë vend. Ai premtoi mbështetje të gjerë si nga institucioni që drejton vet, ashtu edhe nga institucionet tjera kosovare.

Përfaqësues të Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA), të Odës Ekonomike të Austrisë, dhe të institucioneve financiare, si Raiffeisen International, paraqitën programet e tyre për mbështetje të investitorëve austriak që planifikojnë të mësyjnë Kosovën dhe regjionin.

Në kuadër të kësaj konference, kryetari i ECIKS, z. Kujtim Dobruna, shpalosi rezultatet e projektit hulumtues, përmes të cilit ECIKS për nevojat e qeverisë austriake, respektivisht të Agjencisë Zhvillimore ADA, ka analizuar potencialet e ekonomisë kosovare.

“ECIKS ka bërë hulumtimin e potencialeve të sektorëve të ekonomisë së Kosovës duke identifikuar përparësitë e secilit sektor veç e veç, me theks të veçantë në teknologjinë informative dhe në bujqësi”, tha Dobruna. Ai njoftoi më tutje se ECIKS në kuadër të këtij studimi i ka paraqitur qeverisë austriake 16 projektpropozime konkrete të ndërmarrësve kosovar për partneritet me ndërmarrjet austriake, projekte këto që parashihen të realizohen me mbështetjen financiare të ADA-s.

Edhe përfaqësuesit e institucioneve austriake në këtë konferencë, ndajnë mendimin e njëjtë, se sektori i bujqësisë duhet të përkrahet fuqishëm, ngase është njëri prej sektorëve që ofron mundësi për punësimin e masave të gjëra dhe ka potenciale jo vetëm për të përmbushur nevojat e tregut të brendshëm, por edhe për eksport.

Qeveria austriake përmes institucioneve të veta vite me radhë është duke mbështetur fuqishëm sektorë të tërë në Kosovë, duke filluar nga sektori publik e i arsimit e deri te sektori i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Konferenca i vazhdoi punimet me takime të veçanta në mes të përfaqësuesve të ndërmarrjeve austriake dhe atyre kosovare.

ECIKS