TIRANË, 27 Nëntor 2003 – Mënyra e vetme për të shtuar të ardhurat në buxhet është zhvillimi dhe zgjerimi i biznesit vendës, por kjo mund të realizohet vetëm nëse shteti harton politika nxitëse ndaj biznesit. Ky është mendimi i biznesmenëve, të cilët kanë deklaruar se politikat e deritanishme ekonomike, të ndjekura nga qeveria, nuk kanë nxitur dhe favorizuar prodhimin vendës dhe, sipas tyre, marrëveshjet e tregtisë së lirë nuk janë aspak favorizuese për biznesin. “Ne mund të kemi kushte të barabarta tregtare me vendet e rajonit, por kurrsesi tregti të barabartë me to. Ky problem është diskutuar shumë herë dhe ne duam të vëmë theksin në efektin që kanë marrëveshjet e tregtisë së lirë në ristrukturimin e ekonomisë shqiptare”, ka theksuar kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Luan Bregasi. Në konferencën “Integrimi Europin dhe sfidat e komunitetit të biznesit”, përfaqësuesit e komunitetit të biznesit theksuan se nuk mund të ketë integrim ekonomik të Shqipërisë në Bashkimin Europian pa nxitur biznesin vendës, pa ngritur bazën e duhur ligjore dhe pa nxitur investimet direkte. “Nuk di të ketë ndonjë ligj që favorizon prodhimin vendës për eksport dhe investimet direkte. Mbushja e buxhetit mund të realizohet vetëm me nxitje të prodhimit vendës dhe faktorë ekonomikë të qëndrueshëm. Askush nuk duhet të mendojë se buxhetin do të na e mbushin të huajt me eksportet e tyre, drejt Shqipërisë”, theksoi kryetari i Dhomës së Tregtisë, Luan Bregasi. Sipas të dhënave zyrtare, biznesi privat realizon 82-88 për qind të investimeve të ekonomisë kombëtare dhe ka punësuar mbi 310 mijë vetë.
ECIKS / Gazeta Shqiptare