Qeveria kërkon shkarkimin e atyre që bllokojnë privatizimin

PRISHTINË, 27 Nëntor 2003 – Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të rregullt në Prishtinë, ka kërkuar largimin e të gjithë personave përgjegjës për çështjen e privatizimit, duke përfshirë këtu edhe drejtoreshën e sapoemëruar pa aprovimin e bordit të AKM-së, si dhe personat e tjerë nga zyra legale. Në mbledhje po ashtu është bërë e ditur se Qeveria do të kërkojë nga Parlamenti që të 53 ligjet e miratuara pas 22 marsit të vitit 1989 të shpallen si ligje të pazbatueshme.

Dokumenti i përpiluar nga Qeveria dhe Parlamenti, sipas zëdhënëses së Qeverisë, Mimoza Kusari, do t’i dërgohet zyrës ligjore të UNMIK-ut, atyre të Pesëshes, Bashkimit Evropian dhe zyrës ligjore të OKB-së. “Kjo zyre ligjore është ajo e cila ka deklaruar fillimisht se nuk ekziston imunitet i duhur për anëtarët e AKM-së që të kryhet privatizimi dhe më pastaj ky vendim i tyre është kthyer në atë se procedurat operacionale nuk i plotësojnë kushtet për vazhdim të privatizimit, edhe pse zyra legale e Nju Jorkut deklaron të kundërtën,” tha Kusari.

ECIKS / Balkanweb