Në nëntor organizohet "Java e Biznesit Kosovar"

Prishtinë, 1 nëntor 2004 – Gjatë muajit nëntor do të organizohet Java e Biznesit Kosovar, që ka për qëllim promovimin e produkteve vendore. Edhe sivjet, ky aktivitet, organizohet nga Aleanca Kosovare e Biznesit.

Prodhimtaria vendore megjithëse shënon një ngritje të vogël, ende ka mjaft hapësirë për t’u rritur dhe për t’i bërë ballë konkurrencës së madhe nga produktet e importuara. Në këtë drejtim, hap me rëndësi është krijimi i besimit të konsumatorëve për produktet vendore. Për këtë arsye Aleanca Kosovare e Biznesit edhe sivjet është në përgatitje të të ashtuquajturës “Java e Biznesit Kosovar”, e cila do të fillojë me 22 nëntor. Kryetari i Aleancës, Agim Shahini i ka deklaruar radios BlueSky, se java do të jetë një karneval i vërtetë i produkteve kosovare. Shahini thotë se një organizim i këtillë, që ndryshon nga panairet e thjeshta që kohët e fundit po dështojnë në vendin tonë, ka për qëllim që prodhuesi dhe konsumatori të gjejnë interesin e përbashkët. Pjesëmarrësit në karnevalin e prodhimeve vendore do të jenë të gjitha ndërmarrjet prodhuese të cilat shprehin interesin e tyre për t’i promovuar produktet e tyre vendore.

ECIKS / RTKLive