Në Kosovë, 150 mijë punonjës piratë

Nga 311 mijë të punësuar në Kosovë ne sektorin publik dhe privat, vetëm 145 mijë prej tyre paguajnë tatim mbi pagat. Krahasuar me një vit më parë, në vitin 2003 ka shënuar një rritje prej 3.9 për qind

Prishtinë, 26 mars 2005 – Mbi 150 mijë njerëz në Kosovë të punësuar vjedhin çdo muaj buxhetin e Kosovës duke mos paguar detyrimet që kanë, tatimin mbi pagat. Kjo shifër alarmante e mospaguesve të tatimit është bërë publike nga vetë Ministria e Ekonomisë dhe Financave gjatë prezantimit të Ekonomisë së Kosovës në vitin 2004 dhe perspektivës së saj për vitin 2005.

“Në bazë të të dhënave në dispozicion numri i të punësuarve ishte rreth 311 mijë veta. Numri zyrtar i të punësuarve që paguajnë tatim mbi pagat shënoi një rritje të lehtë, krahasuar me vitin paraprak rreth 3.9 për qind. Gjithsej numri i atyre që paguajnë tatim mbi paga është 145 mijë”, thuhet në raportin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, të publikuar të enjten.

Sipas tyre, punësimi në vitin 2004 gjithashtu ka shënuar rritje si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Në sektorin publik, në vitin 2004 ka pasur rreth 5 mijë vende të reja pune, ndërsa numri i përgjithshëm i të punësuarve në të dy sektorët është rreth 311 mijë. “Mendoj se jemi të vetëdijshëm se kemi një papunësi shumë të lartë, një varfëri ekstreme që kap 15 për qind të popullsisë ose një rebalancë katastrofale të importit dhe eksportit”, pohoi drejtori i Entit të Statistikave të Kosovës, Hysni Thaçi.
Punëtorët që paguajnë më së shumti tatim janë ata që punojnë në sektorët që paguhen nga shteti. Ky segment përmbush 50 për qind të tatimpaguesve që në total janë 145 mijë. Ndërmarrjet me pronar të vetëm marrin pjesë me 18 për qind, ndërsa ato private me 13 për qind në pagesën e tatimeve mbi pagat.

Ndërmarrjet shoqërore kanë vetëm 8 për qind ndërsa ato publike dhe shtetërore vetëm 9 për qind. Paga mesatare në Kosovë në vitin 2004 ishte 218 euro. Në prezantimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave janë dhënë edhe detajet e tjera për ekonominë e Kosovës.

Përkundër parashikimeve të zymta, megjithatë, në Kosovë ka pasur një rritje ekonomike. “Gjatë vitit 2004 kemi konstatuar me një rritje prej 3.2 për qind”, tha Naim Blakçori, shef i Departamentit të Politikave Makroekonomike në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave. Është dhënë edhe shifra e ndërmarrjeve që operojnë në Kosovë. Sipas këtij prezantimi, del se në Kosovë janë 41 mijë biznese të regjistruara. Në mesin e tyre mbizotërojnë ndërmarrjet e vogla tregtare rreth 55 për qind, më pastaj vjen sektori i transportit me 15 për qind si dhe sektori i industrisë me 10 për qind.

Gjithashtu mbi 91 për qind e 41 mijë bizneseve në Kosovë janë ndërmarrje të vogla me një pronar.

Fakte:
Numri i bizneseve: 41.000
Numri i të punësuarve: 311.000

Paga mesatare: 218 euro
Papunësia: më e madhe se 42 %
Rritja ekonomike: 3.2 % ( 2004)