Prishtinë, 25 Mars 2005 – Administratat e UNMK-ut ka hartuar një projektplan për kalimin e më shumë përgjegjësive në fushën e gjyqësisë dhe atë të drejtësisë tek institucionet e Kosovës. Kryeadministratori Petersen e ka njoftuar sot kryeministrin Bajram Kosumi se ky projek do të jetë i gatshëm kah mesi i muajit të ardhshëm dhe do të shqyrtohen mundësitë e zbatimit sa më të shpejtë të tij. Kryeministri Kosumi shfaqi besimin se shumë shpejt Kosova do të ketë ministrinë e drejtësisë dhe ministrinë e punëve të brendshme.
Shefi i UNMIK-ut Jesen Petersen tha sot pas takimit të parë me kryeministrin Bajram Kosumi, se administrata ndërkombëtare do të vazhdojë me bartjen e përgjegjësive të reja tek institucionet vendore.Në këtë kuadër Petersen e ka njoftuar Kosumin , se UNMIK-u po e përgatitë një draft-plan që ka të bëjë me bartjen e përgjegjësive në fushën e gjyqësisë dhe policisë.”Gjatë muajit prill ne do t’ia prezantojmë draft planin qeverisë. Pas kësaj ne do të ulemi për të diskutuar me institucionet e Kosovës dhë të pajtohemi se kur dhe si do ti bartim përgjegjësitë në fushën e gjyqësisë dhe policisë”. Kryeministri Kosumi , tha se pasi të pajtohen me UNMIK-un rreth planit për transferin e përgjegjësive pritet edhe formimi i Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Punëve të Brendshme. Kryeminsitri Bajram Kosumi, vlerësoi se Kosova ka fituar një plus të madh në sytë e bashkësisë ndërkombëtare për sjelljet e matura që ka treguar gjatë tri javëve të fundit, të cilat Kosumi i cilësoi mjaft të vështira. Ai tha se kjo fundjavë është me lajme të mira për Kosovën. Shefi i UNMIK-ut Jesen Petersen ka lavdëruar fjalimin e kryeministrit të ri para Kuvendit dhe ka vlerësuar lart gatishmërinë e tij për të diskutuar me opozitën çështjet e rëndësishme për Kosovën siç është procesi i decentralizimit. Kosumi nga ana e tij tha se këto lajme të mira për Kosovën dhe përparimi i shënuar kohët e fundit është edhe meritë e shefit të UNMIK-ut Jesen Petrsen i cili është angazhuar maksimalisht.
ECIKS / RTK