Në 2006 doganat kanë sjellur 459.6 milionë euro

Prishtinë, 2 mars 2007 – Shërbimi Doganor gjatë vitit 2006 ka realizuar 459.6 milionë euro të hyra për buxhetin e Kosovës, tha sot Petter Uoker drejtor gjeneral i SHDU-së. “SHDU-ja ka një rritje prej 12.5 për qind në krahasim me vitin e fundit dhe atë kryesisht, për shkak të rritjes së efikasitetit në arkëtimin, trajtimin e problemeve të përmbushjes, procedurave të thjeshtësuara në përfitim të tregtisë dhe të ekonomisë, si dhe parandalimin dhe luftimin efikas të praktikave korruptive”, tha Uoker.

Po ashtu Shërbimi Doganor gjatë vitit që shkoi ka iniciuar mbi 600 procedura për shkelje administrative dhe ka rritur efikasitetin e parandalimit të korrupsionit. Ndërsa, Naim Huruglica zëvendës drejtor gjeneral, tha se objektivat e doganës gjatë vitit 2006 kanë qenë mbledhja e të hyrave, lehtësirat tregtare, përmbushja e zbatimi i ligjit dhe ndërtimi i kapaciteteve. Ndërkaq, Bujar Shatri, drejtor i operimit të të hyrave, tha se është tejkaluar plani i të hyrave për më shumë se 34 milionë euro, nga 425.3 milionë euro, që kishte parashikuar Ministria e Ekonomisë dhe Financave. Ai tha se doganat kanë krijuar 459 milionë euro, përkatësisht 70 për qind, nga 656 milionë euro e buxhetit të Kosovës. Ekrem Hajdari drejtor për çështje ligjore, tha se gjatë vitit 2006 janë regjistruar 638 kundërvajtje doganore, nga të ccilat 40 janë klasifikuar si vepra penale dhe janë në procedura në prokuroritë përkatëse në Kosovë. “Vlera potenciale e këtyre shkeljeve besohet të jetë mbi një milion euro”, tha Hajdari. Po ashtu kallëzime penale janë bërë kundër zyrtarëve doganor, për shkak të dyshimit të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Doganat gjatë vitit të shkuar ka konfiskuar mbi katër kilogram heroinë, 21 tonë cigare pa banderola me vlerë rreth 700 mijë euro, 130 kilogram ari të pa doganuar me vlerë 1.3 milionë euro.

ECIKS / RTK