Ndërpritet përkohësisht greva e punonjësve të gjykatave

Prishtinë, 03 mars 2004 – Punëtorët e Gjykatave të Kosovës i dhanë fund grevës një javore pas premtimeve të institucioneve të Kosovës se kërkesat e tyre që kanë të bëjnë me rritjen e pagave do të realizohen. Udhëheqësit e këshillit grevist thanë sot se greva ndërpritet për kohë të pacaktuar dhe ajo mund të fillojë përsëri nëse kërkesat nuk realizohen. Punëtorët e administratës së gjykatave dhe prokurorive, në shumë komuna të Kosovës, i dhanë fund grevës njëjavore pas një takimi të zhvilluar dje me drejtues të Ministrisë së Shërbimeve Publike. Naim Shala, udhëheqës i këshillit grevist tha se në takimin e djeshëm janë dhënë premtime të arsyeshme se do të punohet në realizmin e kërkesave të punëtorëve të gjykatave në një afat të shkurtër. Sipas tij institucionet e Kosovës kanë kohë të majftueshme që të realizojnë kërkesat e punëtorëve të gjykatave që kanë të bëjnë kryesisht me ngritjen e pagave.

ECIKS / RTK