Nano: Të thellojmë reformat dhe shpejtojmë integrimin

Tiranë, 31 dhjetor 2003 – Kryeministri Fatos Nano mblodhi dje këshillin e ri të ministrave, për të diskutuar hapat e mëtejshme të maxhorancës në rrugën e integrimit europian. “Tashmë Shqipëria është futur në rrugën e saj të pakthyeshme të integrimit në BE. Procesi i Integrimit nuk është monopol i qeverive; përkundrazi ai është proces i kohabitacionit dhe i bashkimit të ideve dhe veprimeve reformatore e progresiste në shërbim të të ardhmes së vendit”, deklaroi Nano. Ai përmendi reformat në institucionet e shtetit si SHISH, Gjykatën Kushtetuese, Kontrollin e Shtetit, reformat në drejtësi reformën zgjedhore. “Qeveria mbylli përfundimisht bashkë më skafet edhe gojët e liga të vendasve dhe ndërkombëtarëve që akuzonin gratë dhe vajzat shqiptare për prostitucion dhe shqiptarët si prodhuesit më të mëdhenj të trafikut botëror të qënieve njerëzore. Ne dëshmuam se dimë t’i përgjigjemi krimit të organizuar dhe korrupsionit me gjuhën e ligjit dhe të ndëshkimit të merituar nga drejtësia e organizuar”, vazhdoi kryeministri. “Ne u angazhuam dhe përfunduam me sukses të plotë reformën në fushën e pronësisë së paluajtshme. Kthimi dhe kompensimi i pronës mbetet ende prioritet, por miratimi i projekt ligjit të ri në kuvend”, u shpreh Nano. Thellimi i reformave në administratën publike, i masave antitrafik e antikorrupsion, në fushën e privatizimit e sektorëve strategjikë, të reformës fiskale, në drejtësi, etj janë disa nga objektivat e qeverisë për vitin 2004.

ECIKS / Balkanweb