Athinë, 07 maj 2004 – Në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Athinë, Kryeministri Fatos Nano zhvilloi dje një takim në Federatën e Industrialistëve grekë. Në këtë takim merrnin pjesë biznesmenë të njohur vendas, një grup biznesmenësh shqiptarë, si dhe përfaqësues të Dhomës së Tregtisë të Tiranës. Gjithashtu ishte i pranishëm edhe ministri i Ekonomisë, Anastas Angjeli. Kryetari i Federatës së Industrialistëve, Dimitris Daskalopoulos, duke i uruar mirëseardhjen z. Nano, shprehu kënaqësinë që për herë të parë një kryeministër shqiptar viziton Federatën, që është njëkohësisht dhe një nga forumet më me peshë në ekonominë greke. Më tej, ai iu referua bashkëpunimit greko-shqiptar në fushën ekonomike, duke veçuar faktin se Greqia është partneri i dytë tregtar i Shqipërisë. Sipas tij, investimet greke në Shqipëri, që arrijnë në rreth 400 milion dollarë, kapin 27 përqind të gjithë investimeve të huaja në vend. Ai shprehu besimin se interesimi i biznesmenëve grekë për Shqipërinë mbetet i konsiderueshëm. Kryeministri Nano e vlerësoi takimin si një shans të madh për të krijuar një nivel edhe më të lartë për investimet greke në Shqipëri. Ai vuri në dukje se qeveria shqiptare i jep prioritet zhvillimit të sektorit privat, si dhe krijimit të institucioneve kryesore që do t’i shërbejnë nxitjes së investimeve. Në këtë kuadër, Kryeministri shqiptar veçoi privatizimin e sektorëve strategjikë të ekonomisë si telekomunikacionet, sistemin bankar dhe të siguracioneve, naftës dhe gazit.”Qeveria synon rritjen e nivelit të investimeve në turizëm, në shfrytëzimin e burimeve minerare, si dhe krijimin e parqeve industriale, si masa që eksportet shqiptare të konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare”, tha ai. Z.Daskalopoulos i paraqiti kryeministrit Nano një pasqyrë të gjendjes së biznesit grek, që është përmirësuar ndjeshëm falë projekteve të shumta infrastrukturore që po zbatohen. “Një pjesë sinjifikative e fuqisë punëtore që punon në këto vepra, janë emigrantë shqiptarë, të cilët kanë një rol tepër aktiv në jetën sociale dhe ekonomike të Greqisë”,nënvizoi ai.
ECIKS / News24