Për më se dy javë Kosova ka përjetuar një ndryshim imazhi në shtypin anglez dhe botëror. Fox Marble është pranuar që të tregtojë në Berzën e Londrës, e para jo vetëm nga vendi, por edhe nga rajoni.
Pranimi i “Fox Marble” në Bursën e Londrës u përcoll me shkrime të shumta nga mediumet botërore si: Financial Times, The Daily Express, London Evening Standard, The Business Desk, etj.
“Mermeri i Kosovës është më i shtrenjtë sesa që mund të vlerësoni. Mermeri i zi është shumë i kërkuar në SHBA”, shprehej ditë më parë për mediet e huaja Christopher Gilbert, kryeshef ekzekutiv i kompanisë, duke shtuar se këto gurore të mermerit vlerësohet se kanë rezerva prej rreth 300 milionë metra kub mermer.
Lidhur me fillimin e tregtimit të aksioneve në AIM, Gilbert ka thënë se ky është një hap i madh në zhvillimin e “Fox Marble”. “Unë do të doja t’i mirëpres të gjithë aksionarët tanë të rinj dhe të shohim se Fox Marble bën përparim të shpejtë drejt prodhimit dhe përpunimit të mermerit të cilësisë më të lartë”, ka potencuar ai.
Fox Marble është një Holding Kompani angleze, të cilës i është dhënë licenca minerare për pesë gurore të mermerit të mbuluara me një sipërfaqe prej rreth 239.000 metra katrorë në Kosovë, përkatësisht në rajonin e Pejës dhe Rahovecit.
/Zëri/Telegrafi/