Ministria e Bujqësisë kërkon uljen e TVSH-së

Prishtinë, 27 prill 2004 – Ministria e Bujqësisë rekomandon se ndryshimi i tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) do të kishte efekt shumë më të madh sesa heqja e taksës doganore, pasi për shumicën e imputeve bujqësore nuk aplikohet taksë doganore. Këshilli Ekonomik Fiskal (KEF) javën e kaluar vendosi që në favor të bujqësisë të ulet taksa doganore në 0 për qind për grurë, farëra dhe pesticide, ndërsa për materiale të ndryshme riprodhuese taksa doganore do të jetë 2 për qind. Menderez Ibra, sekretar i përhershëm i MB-së, tha se ndryshimi i politikës fiskale nuk shihet si e vetmja zgjidhje e problemeve në bujqësi sepse ka edhe probleme të tjera, siç është niveli i ulët i prodhimtarisë, fitimi i vogël, teknologjia e vjetëruar, etj. Ibra tha se qysh në shtator të vitit 2002 është përgatitur dokumenti për ndryshimin e politikës fiskale në bujqësinë e Kosovës, sepse sipas tij ajo politikë e ngarkonte bujqësinë dhe e vinte atë në një konkurrencë të padrejtë. “Është politikë e përgjithshme e Ministrisë së Bujqësisë që t’i rrisë të hyrat dhe produktivitetin në ferma, mirëpo kjo duhet të arrihet me humbje minimale të të ardhurave të buxhetit në planin afatshkurtër dhe pa humbje për konsumatorin”, – tha Ibra. Ibra tha se, edhe pse bujqësia është degë ekonomike shumë e rëndësishme për zhvillim, ajo ka një buxhet shumë të ulët. Sipas tij, për vitin 2003 buxheti i Ministrisë së Bujqësisë ka qenë në një shumë të vogël prej 0.5 për qind nga buxheti i përgjithshëm i vendit. Ai tha se duhet të merren parasysh edhe subvencionet, që janë një nga format kryesore mbështetëse për sektorin e bujqësisë.

Sipas tij, hapat drejt ngritjes së aftësisë konkurruese që ndikohen nga përshtatja e politikës fiskale janë: investimet në bujqësi, përdorimi më i madh i agroimputeve dhe rritja e produktivitetit. Po ashtu ministria rekomandon që lirimi nga obligimet tatimore për grurë të vazhdohet deri më 30 shtator të këtij viti. Ata kërkuan që farërat të lirohen nga dogana në afat të pacaktuar, mirëpo mielli të ketë doganë të rregullt në favor të mbrojtjes së industrisë së blojës. Ministria e Bujqësisë propozon edhe masat për heqjen e taksave doganore dhe heqjen e TVSH-së për imputet bujqësore, ushqimet blegtorale dhe koncentratet, mallrat kapitale në bujqësi, sistemi i ujitjes, si dhe heqjen e TVSH-së për artikujt themelorë ushqimorë dhe pagesa e subvencioneve direkte për prodhuesit bujqësorë.

ECIKS / Biznesi