Prishtinë, 27 prill 2004 – Kombinati i drurit në Pejë, pas nëntë muajve vonesë për shkak të bllokimit të privatizimit, ka kaluar zyrtarisht të mërkurën në pronësi private. Kjo është ndërmarrja e parë e privatizuar në këtë komunë. Biznesmeni shqiptar nga Peja Hajdar Bajraktari, që ndodhet me punë të përkohshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është njëri nga pesë partnerët që kanë privatizuar këtë ndërmarrje. Në ceremoninë solemne të organizuar në objektet e fabrikës, Bajraktari tha se po marrin këtë fabrikë në duart e tyre me shpresë që do të ngjallin ekonominë dhe ta ulin numrin e të papunëve në komunën e Pejës.
“Kam ftuar sot shumë biznesmenë nga Peja që së bashku jo vetëm me ta, por edhe me shqiptarët e tjerë kudo që janë, të punojmë dhe të investojmë për të mirën e vendit tonë”, – tha Bajraktari. Gjatë ceremonisë së rastit, përveç përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Kosovës, Agjencisë Kosovare të Mirëbësimit, pushtetit lokal të Pejës, ishte prezent edhe shefja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, Macie Reis. Diplomates amerikane me të hyrë në kombinatin e drurit, i kishte lënë përshtypje vendosja e flamurit amerikan krahas atij shqiptar në hyrje të objektit. “Isha shumë e lumtur kur e pashë flamurin amerikan që ishte duke u valëvitur në këtë ndërmarrje. Kjo simbolizon afërsinë dhe bashkëpunimin e ngushtë shqiptaro- amerikan”, – tha Reis. Kombinati i drurit ka në pronësi të vetën një sipërfaqje mbi 9 hektarë tokë, për të cilën ata vjeshtën e kaluar kishin paguar 2.5 milionë euro. Me rastin e privatizimit të kombinatit të drurit në Pejë, Ahmet Shala, zëvendësdrejtor i AKM-së, tha se për ndërmarrjet shoqërore në Kosovë duhet të ketë më shumë investitorë të interesuar shqiptarë jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara, por edhe nga vendet e tjera të botës. “Atmosfera në AKM pas largimit të Mari Fucci-t është shumë relaksuese dhe shumë pozitive”, – tha Shala.
ECIKS / Biznesi