Prishtinë, 3 Korrik 2007 – Kërkesa e komunitetit të biznesit për ndryshim të politikave fiskale është parë si domosdoshmëri e ndryshimit të klimës së biznesit dhe krijimit të kushteve më të mira për investime të huaja në Kosovë edhe nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Kreu i kësaj ministrie, Bujar Dugolli, e ka thënë këtë publikisht të martën, në një konferencë shtypi, në të cilën ka shpalosur propozimet për ndryshimin e politikave fiskale, të cilat do t’ia dorëzojë Qeverisë së Kosovës, me synim të rritjes së investimeve, shtimin e numrit të të punësuarve dhe rritjen e bruto-produktit vendor.
Në këtë listë është propozuar që tatimi në të hyra të korporatave nga 20 për qind të zvogëlohet në 10 për qind, tatimi në të ardhurat personale për të gjitha pagat mbi 80 euro të jetë 10 për qind, ndërsa nën 80 euro të mos ketë tatim fare. Gjithashtu, pragu i deklarimit të tatimit mbi vlerën e shtuar të zvogëlohet nga 50 mijë euro në 25 mijë euro.
Kundërshtimi i ATK-së
Megjithatë, ky propozim i ka ardhur si “shqelm në kokë” drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës, Januz Krasniqi. Duke kundërshtuar këto propozime, ai thotë se “MTI-ja nuk është kompetente për të bërë ndryshimin e politikave fiskale dhe kjo kompetencë mbetet e rezervuar për Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave”.
Sipas tij, në rast se MEF-i del me propozime për ndryshime të këtyre politikave, atëherë MTI-ja sikur edhe çdo organ tjetër mund të japë sugjerime, por jo dhe propozime, sikur kanë bërë tani. Krasniqi deklarohet se përkrah politikat fiskale aktualisht të aplikueshme në Kosovë, të cilat, sipas tij, janë në harmoni me standardet evropiane, duke shtuar se “është kohë shumë e shkurtër të vlerësohen nëse këto politika janë të favorshme për biznesin, ose jo”.
Ndërkohë që ministri Dugolli theksoi se para se të bëhej propozimi për ndryshimin e politikave fiskale, janë bërë analiza të thella në mënyrë që ato të mos ndikojnë negativisht në arkën shtetërore, si dhe është shkuar në atë mënyrë që të ndihmohet biznesi, por edhe të fitojë shteti.
“Ministria në diskutime me komunitetin e biznesit ka ardhur në përfundim se ndihet nevojë e zbritjes së tatimit për korporata, gjë e cila do të ndihmojë në rritjen e shkallës së prodhimit, rritjen e numrit të të punësuarve, por edhe do të gjenerojë të ardhura për buxhetin e vendit”, ka thënë Dugolli.
Zbritje tatimesh për firmat me mbi 50 të punësuar
Sipas tij, për të stimuluar rritjen ekonomike në Kosovë, MTI-ja ka paraparë zbritje të tatimeve për ato ndërmarrje që punësojnë numër të madh të qytetarëve. Lehtësime tatimore për investime është paraparë për të gjitha ndërmarrjet, të cilat punësojnë mbi 50 punëtorë, që të paguajnë vetëm 5 për qind taksë mbi korporatat dhe të lirohen nga taksat për tre vjet. Po ashtu, ato ndërmarrje të cilat arrijnë të punësojnë mbi 100 punëtorë, MTI-ja ka propozuar që me ndryshimin në politikat fiskale të lirohen nga taksat për 5 vjet. Në bazë të këtij plani, kompanitë që punësojnë mbi 5 persona me aftësi të kufizuara do të lirohen nga tatimet për 4 vjet, por nëse e rrisin këtë numër në 10, atëherë do të kenë edhe dy vite shtesë për lirim nga taksa. Ministri Dugolli ka pranuar se deri më tani Kosova ka pasur normën më të lartë të tatimit mbi korporatat krahasuar me vendet tjera të rajonit. Mirëpo, tash e tutje tha se krahasuar me vendet e rajonit ,tatimi në korporata është harmonizuar dhe krahas disa vendeve është edhe më i ulët, duke filluar nga Maqedonia dhe Serbia, që këtë lloj tatimi e kanë 10 për qind, mandej Mali i Zi me 9 për qind, Shqipëria me 20 për qind.
Propozim tjetër për reformën e politikës fiskale është edhe rimbursimi i TVSH-së në afat më të shkurtër sesa ka qenë deri më tani. Duke parë kërkesën e komunitetit të biznesit dhe nevojën për futjen në qarkullim të mjeteve sa më shpejt që të jetë e mundur, nga ana e bizneseve, MTI-ja ka propozuar që rikthimi I TVSH-së të bëhet brenda 30 ditësh, e jo siç ka qenë deri më tani deri në 60 ditë.
Ne kuadër të arritjes së përputhshmërisë me standardet evropiane në zhvillimin e afarizmit dhe evitimin e evazionit fiskal, MTI-ja parasheh që të kërkojë nga Qeveria e Kosovës futjen në përdorim të kasave fiskale, përmes së cilave shitësit do ta kenë të pamundur t’u ikin tatimeve.
Bashkë me këto propozime, Qeverisë do t’i kërkohet që të bëjë zbritjen e taksës për leje ndërtimi dhe unifikim të këtyre tarifave nëpër komuna, pasi që kjo sipas analizave të MTI-së është vërtetuar si pengesë për investitorët e mundshëm, porositi ministri Dugolli.
ECIKS / Koha Ditore