Kompania që menaxhoi KEK-un dy vitet e fundit, i ka kushtuar Kosovës fiks 10.3 milionë euro. Nga këto, 7.5 milionë euro të buxhetit të Kosovës dhe 2.8 milionë donatorëve. Në vend të përmirësimeve, ESBI vetëm e dëmtoi KEK-un
Prishtinë, 26 shtator 2006 — Për zëdhënësen e shtyllës IV të UNMIK, Mechthild Henneke, duket se paratë e donatorëve kane vlerë trefish më të lartë se ato të buxhetit të Kosovës. Ajo duke u përpjekur ta sqarojë deklaratën e saj se ESBI po paguhet nga paratë e donatorëve, ka pranuar edhe vetë se ESBI i ka kushtuar buxhetit të Kosovës trefish më shumë se donatorëve. Henneke tha të jetë thirrur në pagesën aktuale të ESBI-t. Sipas saj, kjo pagesë po bëhet nga zgjatja e kontratës. Nga 10.3 milionë euro, 7.5 milionët e kontraktuara për ESBI janë ndarë megjithatë nga buxheti i Kosovës.
“Pasi që ESBI është në Kosovë që nga korriku i vitit 2004, më duhet të sqaroj se në vitin 2003 të gjitha palët që kanë të bëjnë me KEK-un u morën vesh për propozimin për një ekip menaxhues që do ta menaxhonte KEK-un.
Në korrik të vitit 2004 shefi i Bordit të AKM-së, zëvendës PSSP Nikolaus Lambsdorff dhe kompania irlandeze ESBI nënshkruan një kontratë dyvjeçare për menaxhimin e KEK me mandate që të përmirësonte performancat e KEK-ut. Kjo kontratë ishte themeluar me fondin e buxhetit të konsoliduar të Kosovës prej 7.5 milionë eurosh”, thuhet në njoftimin që ka lëshuar zëdhënësja e shtyllës IV të UNMIK, Mechthild Henneke.
Sipas saj, ESBI ishte zgjedhur në bazë të një tenderi konkurrues dhe transparent. Atëbotë ishte një pajtim unanim nga komisioni vlerësues që të zgjidhet ESBI si kontraktues. Në fund të vitit 2005, nga këndvështrimi i UNMIK-ut dhe donatorëve kryesorë në sektorin e energjisë është bërë një zgjatje e kontratës me ESBI-n si menaxhues i KEK-ut. Kontrata ishte zgjatur në fillim të vitit 2006 dhe ishte nënshkruar nga AKM-ja e ESBI.
“Pagesa prej 2.8 milionë eurosh ishte ofruar nga KfW, USAID dhe AER. Ndërkohë, me 16 tetor të këtij viti Pranvera Dobruna do ta marrë postin e drejtoreshës menaxhuese të KEK-ut, ndërsa drejtori aktual menaxhues John Ashley do të marrë rolin e këshilltarit deri në fund të dhjetorit të këtij viti”, thuhet në njoftimin e Shtyllës IV.
UNMIK-u kishte vendosur që t’i shpenzonte edhe paratë e donatorëve duke ia zgjatur jetën EBSI-t në Kosovë. Por, ESBI mund t’i kushtojë edhe më tepër Kosovës, ngase ka kërkuar para shtesë në emër të rritjes së inkasimit.
Nga të dhënat e pasqyrave financiare shihet se ESBI në KEK jo vetëm që nuk ka treguar ndonjë përformancë pozitive, por përkundrazi, të dhënat janë edhe më negative. Humbjet teknike, të cilat po i shkatërrojnë financat e KEK-ut nga 47 për qind para ESBI, kanë arritur në 52 për qind. Ndërkohë borxhet e konsumatorëve nga 169 milionë euro kanë arritur në afro 300 milionë. Në kohën e ESBI-t, KEK-un e kishte marrë lumi, duke i shkaktuar dëme gjithashtu. Nën menaxhimin ESBI-t kanë ndodhur të njëjtat gjëra që u kishin ndodhur edhe menaxherëve të mëhershëm. Pas investimit të dhjetëra milionë eurove në blloqet e termocentraleve, ato binin menjëherë nga sistemi e nganjëherë edhe përtonin të ndizeshin. Në këtë kohë u fut në sistem edhe plani ABC, i cili është konsideruar si i dështuar, ngase KEK-u nuk arriti as në pikë të verës t’u ofronte rrymë konsumatorëve që paguanin rregullisht energjinë e shpenzuar.
Këto performansa kanë bërë që pos UNMIK-ut dhe menaxherëve vendorë të KEK-ut, të mos jetë i kënaqur askush. Aktorët e energjisë dhe strukturat udhëheqëse vazhdimisht janë shprehur se nuk ka pasur kurrfarë ndryshimi pozitiv në menaxhimin e kësaj ndërmarrjeje. Madje jo zyrtarisht zyrtarë të lartë të qeverisë së Kosovës kanë deklaruar se menaxherët e ESBI-t më shumë kanë sjellë probleme sesa kanë zgjidhur ato në KEK.
Me gjithë këto akuza, zyrtarë të shtyllës IV por edhe të KEK-ut kanë lavdëruar punën e menaxhmentit ndërkombëtar. Ata kanë deklaruar se Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), ka bërë vlerësimin e punës së ESBI-t në Kosovë, e cila ka rezultuar të jetë pozitive, por nuk kanë dhënë asnjë fakt lidhur me këtë konstatim.
Gazeta Express