Prishtinë – Në gjysmën e parë të vitit, ekonomia e Kosovës ka treguar qëndrueshmëri ndaj mjedisit të ndryshueshëm makroekonomik global, edhe pse është vërejtur një mungesë e lehtë e likuiditetit dhe një vazhdimësi e rritjes së çmimeve. Këto vlerësime janë publikuar sot me rastin e buletinit gjysmë vjetor makroekonomik për vitin 2008, si dhe parashikimet trevjeçare makro-fiskale 2009 – 2011 të bëra nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave.
Bazuar në këtë raport projeksionet makroekonomike tregojnë që nëse përformanca e ekonomisë vazhdon të jetë sikur në pjesën e parë të këtij viti, rritja reale e GDP-së për vitin 2008 pritet të jetë rreth 5.2%, gjë që është mjaft inkurajuese, marrë parasysh që shkalla e inflacionit është përshpejtuar në pjesën e parë të vitit.
“Derisa të gjitha kategoritë e GDP-së kanë shënuar rritje, Konsumi dhe investimet vazhdojnë të jenë shtytësit kryesorë të rritjes ekonomike”.
Në anën tjetër, deficiti tregtar në rritje, përkundër rritjeve të rëndësishme të eksporteve, vazhdon të jetë pengesë për përshpejtim të rritjes, dhe paraqet një shqetësim të vazhdueshëm për stabilitetin makroekonomik.
Të dhënat për periudhën janar-qershor të këtij viti sipas raportit të MEF-it, tregojnë që shkalla mesatare e inflacionit ka qenë 12.9%, dhe me supozimin për stabilizim të çmimeve në gjysmën e dytë të vitit, shkalla mesatare e inflacionit për këtë viti, e matur me Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK), parashihet të jetë 8.7%. Shtytëse të kësaj rritjeje janë çmimet e ngritura të ushqimeve dhe të naftës.
Ndërkohë sa i përket të hyrave buxhetore, ato kanë qenë 408.3 milion euro gjë që vlerësohet rritje e konsiderueshme në përjashtim të të hyrave jo tatimore.
“Rënia e mbledhjes së të hyrave jo-tatimore vjen si rezultat i pagesës së bere vitin e kaluar për licencën e dytë të telefonisë mobile”.
Në po të njejtin raport thuhet se sa i përket shpenzimeve, vërehet një përmirësim në nivelin e shpenzimeve buxhetore, në veçanti atyre kapitale.
“Sektori financiar edhe më tutje mbetet stabil. Në përgjithësi vërehet një rritje e besueshmërisë në sistemin bankar, gjë që dëshmohet me rritjen e vazhdueshme të depozitave. Vlen të theksohet se rritja e kredive ka pasur një trend më të shpejtë se sa ajo e depozitave”.
Tipari më i spikatur i gjysmës së parë të vitit sipa raportit është rritja shumë e madhe e eksporteve, që për këtë periudhë kanë arritur 103.5 milionëeuro, një rritje kjo prej 101% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në anën tjetër, importet kanë arritur vlerën prej 856.8 milionë euro, një rritje prej 26.7% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të shkuar. Deficiti tregtar ka qenë 753.2 milionë euro, apo 20.6% më i lartë se vitin e shkuar.
“Megjithatë, në raport me GDP-në, deficiti tregtarë është rritur”.
Telegrafi