Më shumë mbështetje për sektorin privat

Institucionet qendrore prezantuan të hënën në Prishtinë aktivitetet për lehtësirat që synohen për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM), që janë shtyllë e zhvillimit ekonomik në Kosovë. Ndër aktivitetet më të rëndësishme janë hartimi i ligjeve që lehtësojnë afarizmin, si dhe implementimi i strategjisë për zhvillimin e NVM-ve, që është dokument i miratuar nga qeveria në korrik të vitit 2011.

Konferenca informuese u organizua nga Agjencia për Mbështetjen e NVM-ve, agjenci e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në bashkëpunim me projektin e financuar nga BE-ja ‘EU SME’, ku morën pjesë përfaqësues nga institucionet dhe komuniteti i donatorëve.

Drejtori i Agjencisë për Mbështetjen e NVM-ve, Granit Berisha, tha se Strategjia e zhvillimit të NVM-ve do të shërbejë si guidë për vet Agjencinë në punën e saj për mbështetjen e këtij sektori

Soren Hjorth, kreu i projektit EU SME i cili ndihmon zhvillimin e sektorit të NVM-ve në Kosovë, tha se qëllimi i të gjitha aktiviteteve të projektit EU SME është përmirësimi i radhitjes së Kosovës në listën e të bërit biznes në kuadër të Bankës Botërore. “Përndryshe EU SME është një mjet i komunikimit mes Komisionit Evropian dhe qeverisë së Kosovës në shtyrjen përpara të politikave që mbështesin zhvillimin e NVM-ve”, tha Hjorth.

/Telegrafi/