Më 12 maj ofrohet teksti i kontratës kolektive

Prishtinë, 17 mars 2004 – Këshilli konsultativ trepalësh, Qeveria, BSPK dhe OEK arritën sot në përfundim që me 12 maj të bëhet ofrimi i tekstit për nënshkrimin e kontratës kolektive. Në të njëjtën kohë është dakorduar që të bëhet pensionimi i parakohshëm, mirëpo duke mos i definuar krejtësisht gjërat, ngase është lënë mundësia që grupi i punës dhe Ministria e punës të hartojnë ligjin mbi pensionimin e parakohshëm. Anëtari i Qeverisë, ministri Ahmet Isufi njoftoi se duhet të bëhet dallimi në mes të pensionistëve të cilët kanë bërë kontributin në fondin pensional dhe atyre që marrin sot pensionin themelor të vjetërsisë e që nuk bazohet në kontributet e mëhershme. Poashtu në takimin e sotëm të Këshillit Trepalësh është arritur pajtimi që të përgatitet teksti për Paktin Social si propozim orientues për dy vjet, tha ministri Isufi: “Ne si qeveri do të jemi partnerë të denjë t’i realizojmë të gjitha këto që janë obligime tona ndërsa poashtu do të kërkojmë që edhe partnerët tanë të jenë efektiv në drejtim të realizimit të këtyre qëllimeve.” Kontrata kolektive paraqet një marrëveshje nacionale në nivel të Kosovës e cila përfshinë të gjithë punëtorët në ekonominë shoqërore dhe private, përderisa ajo për sektorin publik ende është në shqyrtim.

ECIKS/Rtk