Maqedonia mbron naftësjellësin AMBO

Shkup, 27 prill 2007 – Ministri maqedonas për investimet e huaja, Gligor Tashkovic, është shprehur se naftësjellësi Shqiptaro-Maqedonas-Bullgar, AMBO, ofron avantazhe kundrejt konkurrentit rajonal.

AMBO, sipas Tashkovichit, ofron avantazhe kundrejt naftësjellësit Burgas-Alexandroupolis i cili do të transportojë naftën ruse nëpërmjet Bullgarisë dhe Greqisë.

Ai tha se AMBO me një gjatësi prej 895-kilometrash dhe me vlerë 1.5 miliardë USD i cili do të lidhë portin bullgar të Burgasit me Vlorën nuk do të varet nga fondet qeveritare, njofton televizioni A1.

Po sipas tij AMBO, me pikë fundore Vlorën ofron një basen më të thellë ujor dhe lehtësira portuale më të mëdha sesa Alexandroupolis në Greqinë veriore, ky i fundit, sipas të dhënave do ta ketë të vështirë të mbështes cisternat e mëdha me karburant.

Duke vazhduar më tej ministri maqedonas argumentoi se naftësjellësi AMBO është projektuar për distance të gjata dhe është pozicionuar më mirë për ti shërbyer tregjeve të Evropës Perëndimore dhe Amerikës Veriore, sesa Alexandroupoulis.

Tashkovich theksoi se projekti AMBO i cili përfshin edhe Maqedoninë si pikë kalimi të tubacioneve ka marrë mbështetjen e kompanive më të mëdha të naftës që cilat kërkojnë të përdorin deri një të katërtën e kapacitetit të naftësjellësit, por nuk bëri të ditur ndonjë emër konkret.

Fillimet e punimeve pritet të nisin mesin e vitit të ardhshëm dhe mendohet të përfundojnë në 2011.

ECIKS / Telegrafi